fbpx
aktoretAktualitetLajme

Nga Bujana Xhindoli/ Kuajt fjetën

–Kuajt fjetën–

Reumatizma ia kishte shtrembëruar gishtërinjtë e shkurtër por, duart i kishte të forta. Lidhte e zgjidhte tela, ndërtonte çati ndër fshatra. Ishin vite kur ustallarët e mirë numëroheshin me gishta, ashtu si njerëzit. Në malësinë e jugut gurëgdhendësit e mirë kishin emigruar, ata që patën mbetur kishin zgjedhur çukat e malet për të gjezdisur dhi e dhenë; larg prej ngasjes së erës dhe të ligut. Saprini, burri me shtatin e shkurtër, zgjatej çative mbi muret e gurtë, pa u fjalosur e as shkëmbyer duhan nga kutia me askënd. Me çekiç në dorë zgjonte drenushat mëngjeseve në pranverë dhe dëbonte ujqërit mëngjeseve në dimër. Me ditë të tëra rrinte larg gjashtë fëmijëve dhe së shoqes. I piqej buza për ta. Në çdo goditje çekiçi, nga një tingull dilte prej gurit dhe i hynte në veshë. Sipas çdo tingulli krijonte një fjalë, pastaj një tjetër, një tjetër, gjersa me to arrinte të krijonte poezinë e radhës për të shoqen. Ajo ishte grua e bukur. Kur Saprini mbërrinte në shtëpi, pas darke, në vatrën e oxhakut me blloqe guri, të gjashtë fëmijët shkonin për të fjetur, ndërsa ai i recitonte poezi gruas fytyrëbardhë e gërshetaverdhë.
Ishte fundvjeshtë. Saprini mori me vete karrocën, të vetmen mbajtëse për barrat e shtëpisë. I duhej andej nga do të shkonte, për mjetet e punës, shtrojet e gjumit, veshjet dhe paksa ushqim. Dy kuaj tërhiqnin biroçën me katër rrota. Shirat e rrëmbyer kishin shpëlarë kumin e bardhë prej gurëve. Vende-vende rrotat e karrocës ngecnin. Saprini e shtynte lehtë nga pas. Diçka nuk po shkonte mirë. S’ishte në humor. Nuk donte të ecte, as të punonte. Sikur të kthehej! Ndërsa mendonte, e kishte harruar fare karrocën dhe kuajt. Kur hodhi sytë nga ta, pa biroçën e përmbysur dhe kuajt duke fjetur. “Çudi”, mendoi “kurrë nuk i kam parë të flenë kështu”. Iu shkoi pranë. Asnjëri prej kuajve s’merrte frymë. Saprini u mek. Vrapthi shkoi drejt shtëpisë. Në derë gjeti bardhoshen e tij.
– Eja, shpejt! Kuajt po flenë! Pasi tha këto fjalë, vendosi kokën mbi supin e gruas dhe u ngashërye.

@ b. xhindoli

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button