fbpx
Lajme

“Më rrahën e më thyen hundën e dhëmbët”, pezullohen 3 policë në Pogradec pas denoncimit të qytetarit

Tre efektivë Policie janë pezulluar nga detyra, pas transmetimit të pamjeve në media të dhunës së ushtruar nga ana e tyre ndaj një qytetari.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Korçë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në ngarkim të 3 punonjësve të Policisë, inspektor B. P., 49 vjeç, me detyrë trupë Shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Pogradec; inspektor K.B., 21 vjeç, me detyrë trupë Shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Pogradec dhe inspektor E.O., 24 vjeç, me detyrë trupë Shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Pogradec.

“Punonjësit e mësipërm të Policisë dyshohet se kundrejt një shume parash janë përfshirë në veprime korruptive, me qëllim favorizimin e shtetasit I.D., duke mos e ndëshkuar atë për shkelje të kufizimeve të lëvizjes pas fashës kufizuese, drejtim të automjetit në gjendje të dehur, si dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij”, sqaron Policia. Hetimet në lidhje me këtë procedim po vazhdojnë për kryerjen e veprave penale “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Denoncimi ndaj tyre u bë më pak javë më parë, nga qytetari Ilirjan Dojçe, i cili tregonte për emisionin “Stop” se kishte shkuar në Pogradec për të shitur speca kur është dhunuar nga efektivët.

“Në datën 20 tetor kam qenë në qytetin e Pogradecit për të shitur disa speca. Mbaroj punë dhe më pas takoj dy shokët e mi, qëndruam atje në orët e vona të darkës, ishte rreth 23:00. Në atë kohë kur po iknim, na del patrulla. Ishin 3 Policë, na ndaluan, ku shkoni. I them unë po shkoj shokët e mi deri te shtëpia. Debatuam atje, më kërkuan lekë. Ju dhashë 20 mijë Lekë (të vjetra). Më pas ikëm. Më tha mua ku do shkosh? I them do iki te shtëpia e dajës tim dhe do rri atje sot. Mbarova punë, më pas shkoj në lagje dhe sa parkoj makinën atje, makina e policisë doli prapë te lagjja. Erdhi ai polici, më thotë ti s’merr vesh. Të thashë që do shkoj të fle këtu sot. Debatuam pak atje.

Më pas filluan kontradiktat, më rrahën, më bënë copë. Edhe hundën e kam të thyer, dhëmbët e thyer, më shanë, më ofenduan me llafe nga më të ndryshmet. Më kërcënuan, do të vrasim, do të fus plumbin, do të hedh në përrua e shumë gjëra të tjera”, tregon qytetari.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button