fbpx
Lajme

Pink October with Albanian Women in USA

Pink October with Albanian Women in USA

Nga : Arjola Alldashi
Redaktoi: Luljeta Xhediku

Gratë dhe vajzat shqiptare të grupit Albanian Women in USA u mblodhën sërish bashkë në këtë të diel të ftohtë tetori. Arsyeja që i mblodhi bashkë sot këto gra dhe vajza ishte tepër e rëndësishme, ato u mblodhën së bashku në emër të jetës, për t’i bërë ballë së bashku sëmundjes që mban emrin kancer i gjirit. Secila nga pjesëmarrëset kishte dikë në mendje. Dikush ishte në emër të asaj nënës që humbi bijën, një tjetër për bijën e birin e vogël që humbën nënën, në emër të një motre e një shoqeje që sot nuk jeton më. Gratë dhe vajzat që u mblodhën sot ishin gjithashtu në emër të atyre heroinave që e mposhtën këtë sëmundje, por më e rëndësishmja ato ishin bashkë në emër të atyre që po luftojnë me këtë sëmundje për t’ju thënë që ato nuk janë vetëm, për t’u dhënë forcë e kurajë për të vazhduar, për të gjetur fuqinë brenda vetes ashtu si vetëm gratë e vajzat mund ta bëjnë dhe më e rëndësishmja për të ndërgjegjësuar që nuk duhet të presim simptoma për të shkuar për një kontroll te mjeku. Pink ishte ngjyra e sotme, si dashuria për jetën, si mirësia dhe si vetë femra. Në mesin e pjesëmarrësve ishte Albina nje grua e diagnostikuar me këtë sëmundje. Mes frikëso për atë që e priste, dhimbjeve që ndiente, me tmerrin që jetoi, e gjendur mes frikës se nuk do t’i shihte më kurrë bashkëshortin, fëmijët, prindërit, shoqërinë, se nuk do mundte dot t’u gëzohej arritjeve të askujt, ndjeu më tepër dhimbje. Mes asaj dhimbjeje gjeti dhe forcën të luftojë kancerin e gjirit dhe sot kryelartë, me emocion për ato që e kanë kaluar me sytë plot jetë që i shkëlqenin dhe me lutje që të gjitha ato që vuajnë këtë sëmundje të bëhen mirë, ndau me ne eksperiencën më të tmerrshme të jetës së saj. Albanian Women in USA, në kuadër të muajit tetor, muajit të sensibilizimit kundër kancerit të gjirit organizoi për të dytin vit një takim simbolik me vajza dhe gra të veshura me ngjyrën pink, të ardhura nga disa lagje të New York-ut duke u mbledhur këtë të diel në Prospect Park! Sipas statistikave, kanceri i gjirit sa vjen edhe rritet nga viti në vit. Prandaj duhet të ndërgjegjësojmë veten dhe të tjerët! Të mos neglizhojmë vizitat, ta mundim këtë sëmundje të shekullit dhe të tregojmë sesa të forta jemi ne gratë. Ky takim u shoqërua me njohje të reja mes vajzave dhe grave shqiptare, ku nuk munguan fjongot pink për secilën, shpërndarja e broshurave në gjuhën shqipe dhe ëmbëlsirat ngjyrë pink përgatitura me aq shumë dashuri nga Alketa, një tjetër vullnetare që iu bashkëngjit kësaj kauze.
Nga : Arjola Alldashi
Redaktoi: Luljeta Xhediku

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button