fbpx
AktualitetKurioziteteLajme

Analiza/ Krahasimi i votave PS-PD qysh prej 2009, dhe pse PS vijon të mbetet beteja më e vështirë për të djathtën

Të dy forcat kryesore politike në vend PS dhe PD janë përfshirë në një proces analize të thellë për rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit.

PD-ja do të mbledhë kryesinë për këtë cështje para Kuvendit të së shtunës, ndërsa PS-ja ka ngritur grupet e punës.

Secila prej tyre ka shënuar përgjithësisht rritje në raport me rezultatin e zgjedhjeve pararendëse, por ajo që vlen të diskutohet është se sa dhe si është kurba e rritjes e secilës prej tyre nga njëra palë zgjedhje në tjetrën.

Gazeta sjellë një panoramë përmbledhëse të rezultatit PD-PS në raport me katër zgjedhjet e fundit parlamentare edhe pse PS-ja në vitin 2009 doli si koalicion ashtu si edhe PD-ja.

Në zgjedhjet e 2013, 2017 dhe 2021 PS-ja doli vetëm si forcë politike, ndërsa PD-ja ka dalë si koalicion në 2017 dhe zgjedhjet e fundit të Prillit

Pavarësisht formës, ajo që vihet re është një rritje e ndjeshme në vota e PS-së nga njëra palë në zgjedhje krahasuar me PD-në.

E fillojmë me Tiranën. Si koalicion PS në 2009 mori 162.757 vota e përkthyer në 15 mandate. Në zgjedhjet e 2013-ës PS si forcë politike fiton 1 mandat më shumë e reflektuar edhe në vota 198.837, në 2017 edhe dy mandate më shumë duke shkuar në 18 deputetë dhe ruan të njëjtin raport mandatesh edhe në zgjedhjet 2021 me numër votash më të lartë 226.842.

PD-ja në anën tjetër nuk ka mundur të rikuperojë ndjeshëm në mandate për Tiranën, krahasuar me zgjedhjet e 2009-ës kur PD-ja fitoi mandatin e dytë qeverisës. Ato zgjedhje PD-ja fitoi 161.332 vota përfaqësuar me 16 mandate. Pati ulje votash të konsiderueshme në zgjedhjet e 2013-ës dhe 2017-ës e reflektuar edhe në mandate (vetëm 11) për tu rritur këto zgjedhje dhe përfaqësuar me 15 mandate. Numri i votave që PD-ja mori në Tiranë (bashkë me aleatët) zgjedhjet e fundit është 182.335 vota. Diferenca PS-PD në vota është 44.507 vota në favor të PS.

Vlora është një tjetër qark ku PS është rritur konsiderueshëm, ndërsa PD-ja ka rritje të ngadaltë e reflektuar kjo edhe në mandate.

Në 2009 si koalicion PS-ja fitoi 47.284 vota e përkthyer në 7 mandate. Në 2013 u rrit me vota por nuk iu përkthye në mandate (sërish 7), për tu rritur ndjeshëm në zgjedhjet e 2017-ës kur merr 8 mandate dhe numrin më të madh të votave (65.848). Në zgjedhjet e fundit parlamentare PS-ja merr më pak vota (se 2017) por nuk reflektohet në mandate. Ajo del nga këto zgjedhje me objektivin e paralajmëruar, 8 mandate.

PD-ja rezultatin më të mirë të mandateve për Vlorën e ka në vitin 2009 si koalicion me 5 mandate. Në zgjedhjet e 2013-ës humbet ndjeshëm, rritet pak në 2017 (me vetëm 2 mijë vota) dhe numrin më të madh të votave PD + aleatët (32.128 vota) e ka zgjedhjet e fundit, që i përkthehet në 4 mandate.

Durrësi është një tjetër qark ku PS-ja njeh vetëm rritje. Edhe PD-ja gjithashtu por me ritme më të ngadalta. Në zgjedhjet e 2009-ës, PS-ja si koalicion mori vetëm 5 mandate. PD me aleatët pati rezultatin më të mirë me 7 mandate. Pastaj fillon një rënie e PD-së në zgjedhjet e 2013 dhe 2017 që reflektohet edhe në mandate ndërsa një rritje e PS-së në cdo palë zgjedhje.

Në 2013, PS-ja fiton 6 mandate, 2017 merr 8 mandate dhe ruan të njëjtin numër mandatesh edhe në 2021 e përkthyer në vota 76898, rezultati më i mire i PS-së ndër vite në Durrës.

Edhe PD-ja nga ana e saj shënon rezultatin e saj më të mirë ndër vite, por ndryshe nga zgjedhjet e 2009 kur mori 7 mandate, PD-ja zgjedhjet e fundit nuk rritet me ritmin e PS duke u përfaqësuar me 6 mandate në Kuvendin e ardhshëm. Diferenca PS-PD në Durrës është 13.505 vota në favor të PS.

Një tjetër qark që ia vlen të diskutohet është Elbasani. PD-ja rezultatin më të mirë për Elbasanin e ka në zgjedhjet e vitit 2009 me 7 mandate.

Më pas 2013 dhe 2017 ajo ka shënuar ulje të konsiderueshme në vota dhe mandate. Ne zgjedhjet e 2013 ajo merr 4 mandate, 2017 fiton 3 mandate për tu rikuperuar me tre mandate më shumë zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa në vota është pak a shume sa ka marrë në zgjedhjet e 2009-ës (rreth 57 mije vota).

Ndryshe ka ndodhur për PS-në. Në zgjedhjet e 2009 PS fitoi 7 mandate, në 2013 fitoi në vota por nuk iu përkthye ne ndonjë mandat më shumë (faktori LSI) në 2017 merr sërish 7 mandate ndërsa në zgjedhjet e 2021-it PS-ja fiton 86.224 vota e përkthyer në 8 mandate, rezultati më i mirë i saj ndër vite për këtë qark. Diferenca PS-PD në vota për këtë qark është 28.346 vota për PS

Fieri vijon të mbetet bastion i padiskutueshëm për socialistët duke u përfaqësuar kryesisht me 9 mandate, (vetëm zgjedhjet e 2017 mori 10 mandate). Edhe PD-ja ka rritje por më të ngadaltë. Në zgjedhjet e 2021-it ajo merr të njëjtin numër mandatesh si në kohën më të mirë të saj në zgjedhjet e 2009-ës, 6 mandate. Gjithsesi diferenca PS-PD në vota në këtë qark vijon të mbetet e lartë 26.892 vota në favor të PS.

Korca është qarku ku PS-ja nuk ka lëvizur në mandate. Qysh prej zgjedhjeve të 2009-ës, PS-ja ka ruajtur numrin 6 të mandateve ndërsa nga PD-ja ka pasur luhatje.

PD ka rezultatin më të mirë në mandate në zgjedhjet e 2009-ës (6 mandate), në zgjedhjet e 2013 merr 5 mandate, 2017 4 mandate për tu rikuperuar në 5 zgjedhjet e fundit. PD-ja ka rezultatin më të mirë në vota në tre zgjedhjet e fundit parlamentare, por mbetet larg në vota me zgjedhjet e 2009-ës kur mori 56.303 vota. Zgjedhjet e fundit ajo mori 50.479 vota. PS-ja në anën tjetër ka marrë rezultatin më të ulët në vota për këtë qark krahasuar më votat që mori në zgjedhjet e 2017-ës dhe të 2013-ës. Zgjedhjet e fundit, ajo mori 60.543 vota. Megjithatë diferenca në vota mes saj dhe PD-së është e konsiderueshme 10.064 vota

Berati është qarku ku PS-ja ka shënuar rritje në vota, ndërsa PD ka çaluar. PS-ja rezultatin më të mirë e ka në zgjedhjet e fundit parlamentare me 5 mandate dhe numrin më të lartë të votave. Tre zgjedhjet pararendëse, PS-ja përfaqësohej në Kuvend me 4 deputetë, kjo edhe për shkak të faktorit LSI ku në atë qark zgjedhjet e kaluara ka qenë dominuese.

PD-ja rezultatin më të mirë në këtë qark në zgjedhjet e 2009-ës me 3 mandate, pastaj zvogëlohet në 2 mandate zgjedhjet e 2013-ës për të rënë në vetëm 1 mandat zgjedhjet e 2017-ës për tu rritur së fundmi ne 2 mandate, e përkthyer edhe në rritje votash, por jo aq sa rezultati i saj më i mirë i 2009-ës kur mori 24.805 vota. Zgjedhjet e fundit, PD mori 23.092 vota

Gjirokastra gjithashtu është rikuperuese për PS-në, në vend-numëro për PD-në.

Në zgjedhjet e 2009-ës, PS si koalicion merr 3 mandate dhe ruan të njëjtin raport mandatesh (tani si force politike) edhe në zgjedhjet e 2013, 2017 dhe 2021 edhe pse zgjedhjet e fundit në vota si forcë politike ka më pak vota se zgjedhjet e pararendëse. Rezultatin më të mirë PS-ja në këtë qark e ka marrë në zgjedhjet e 2017-ës me 27.222 vota.

PD-ja në anën tjetër le për të dëshiruar. Rezultatin më të mirë në vota dhe mandate e ka në zgjedhjet e 2009-ës me dy mandate. Bie ndjeshëm në zgjedhjet e 2013, 2017 dhe 2021 e reflektuar edhe në mandate vetëm 1 deputet.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, PS-ja ka një rritje në një qark që gjithnjë shihej si bastion i PD-së, Dibra. Edhe pse në katër zgjedhjet e fundit parlamentare, PS-ja përfaqësohet në Kuvend me 2 deputet në këtë qark, zgjedhjet e fundit ajo i është afruar shumë PD-së në vota duke rriskuar jo pak këtë të fundit për mandatin e tretë.

Zgjedhjet e fundit PS-ja mori 28742 vota ndërsa PD-ja 29.020 vota. Dibra për PD-në shënon rezultatin më të dobët se zgjedhjet e 2013 dhe 2009-ës Në mandate ajo ka rikuperuar një mandat më shumë nga zgjedhjet e 2017-ës kur mori vetëm 2 mandate.

Ndërkohe PD-ja është rritur në qarkun e Shkodrës. Megjithatë, ajo është larg rezultatit të saj më të mirë të zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës kur mori rreth 56 mijë vota dhe u përfaqësua në Kuvend me 7 mandate. Zgjedhjet e fundit parlamentare ajo u rrit në vota por mbeti në kufijtë e 5 mandateve në Kuvend ashtu si edhe tre zgjedhjet e fundit parlamentare.

PS-ja në anën tjetër ka një rënie të konsiderueshme në këtë qark. Rezultatin më të mirë PS-ja e ka në zgjedhjet e 2017-ës me 39.247 vota e përfaqësuar në Kuvend me 4 mandate, aq sa ka qenë synimi i PS-së ndër vite për këtë qark. Në zgjedhjet e fundit parlamentare PS-ja arriti të marrë vetëm 3 mandate. Kjo edhe për shkak të faktorit LSI dhe Tom Doshit që kanë influencat e tyre në atë zonë. Diferenca PS- PD në këtë qark është 16.909 vota në favor të PD-së.

Dobët PS-ja është edhe në qarkun e Kukësit. Qysh prej zgjedhjeve të 2009-ës, PS-ja përfaqësohet në këtë qark me 1 deputet. Edhe pse ka një rritje në vota, PS-ja rezultatin më të mirë e ka në zgjedhjet e 2017-ës me 18.387 vota. Zgjedhjet e fundit ajo mori 13.856 vota

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për PD-në e cila zgjedhjet e fundit parlamentare ishte në rritje votash krahasuar me zgjedhjet e 2013-dhe 2017. Edhe pse ka lëvizje demografike nga ky qark, PD-ja ka arritur që të ruajë një balance në mandate. Zgjedhjet e fundit parlamentare ajo mori 2 mandate. Diferenca në vota PS-PD është 10.215 vota në favor të PD

Qarku i Lezhës mund të konsiderohet pa asnjë dyshim një qark në rritje për PD-në. PD-ja ka marrë rezultatin më të mirë të saj në vota (33.9898) më i madhja se votat në zgjedhjet e 2009, 2013 dhe 2017. Ajo do të përfaqësohet në Kuvend me 4 deputetë. Në këtë qark është rritur edhe PS-ja krahasuar me tre zgjedhjet e fundit parlamentare, por jo aq sa për të përmbysur ndonjë rezultat në mandate. Në zgjedhjet e fundit ajo mori rezultatin më të mirë në vota (30406) por që nuk iu reflektua në numër mandatesh. PS-ja do te përfaqësohet në Kuvend me 3 deputetë aq sa ishte në fakt edhe objektivi i saj paraprak./Si

/m.j

Leave a Reply
Comment

Name

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button