fbpx
Politika

Basha sot nga Saranda drejt Tropojës, mesazh – votuesve të PS: Arrijmë gjithçka kur bëhemi bashkë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të zhvillojë të shtunën një nga turet më të gjata të kësaj fushate elektorale brenda një dite, për t’iu përcjellë mesazhin e tij qytetarëve që nga Saranda e për ta përfunduar atë në Tropojë.

Vetë Basha e ka bërë të ditur mbrëmjen e së premtes nga Gjirokastra, me anë të një videomesazhi, tek ishte nisur për në Sarandë bashkë me arsyet pse po shkon vetë qytet më qytet për të takuar njerëzit.

Në fjalën e Bashës ka rënë një sy një mesazh i ndjerë për votuesit e Partisë Socialiste, të cilëve iu është drejtuar me fjalët: “ Ju jeni motrat dhe vëllezërit tanë, ne jemi një komb, ne jemi një familje…”

Në videomesazhin e publikuar në Fb, Basha thotë ndër të tjera:

“Ju përshëndes nga hyrja e Gjirokastrës, Jam sot rrugës për në Sarandë, ku do të qëndroj gjatë mbrëmjes, e do të vazhdojë pastaj nesër duke nisur nga mëngjesi, një tur takimesh që do të nisë nga qyteti i Sarandës, do të vazhdojë nga Jugu në Veri, nga Saranda në Tropojë.

Do të jem në Delvinë, do të jem në Tepelenë, do të jem më pas në Levan, do të vazhdoj në Shijak, do të jem në Krujë, do të jem në Kurbin, në Rrëshen, në Mirditë dhe do ta përmbyll me arritjen në Tropojë, në skajin verior të vendit tonë.

Është diçka që mezi po e pres. Do të jetë një ditë shumë e gjatë por shumë e bukur.”

Më tej, në fjalën e tij Basha thekson:

“Ky është vendi ynë. Ai ju takon ju, qytetarëve të Shqipërisë, nuk i takon as njërës as tjetrës parti. Ky është atdheu ynë i përbashkët. I jam drejtuar gjatë këtyre ditëve dhe më janë drejtuar në takime spontane po dhe në vizita në shtëpitë e tyre dhe në vizita në selinë e Partisë Demokratike, shumë mbështetësve, votuesve dhe anëtarëve të Partisë Socialiste.

Dua t’i drejtohem edhe njëherë sot: Ju jeni motrat dhe vëllezërit tanë, ne jemi një komb, ne jemi një familje. Edhe ju e keni të shtrenjtë Shqipërinë dhe ne përballemi me të njëjtat sfida, ne përballemi me të njëjtat probleme të cilat janë shkaktuar dhe janë rënduar gjatë këtyre viteve.

Ne të gjithë bashkë kemi një aspiratë, ta bëjmë më të mirë vendin tonë, ta bëjmë të ardhmen tonë më të mirë dhe mund ta sjellim ndryshimin për të cilin Shqipëria ka nevojë. Ne mund të arrijmë gjithçka kur bëhemi bashkë. Unë dua t’ju garantoj sot se unë do të jem kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Ne do të punojmë të gjithë bashkë, ne do të kujdesemi për të gjithë.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button