AktualitetLajme

Mjekja shqiptare në Zvicër, Fatimeri Imeri: Ndikimi i vitaminës D në shëndet

Mjekja shqiptare në Zvicër, Fatimeri Imeri: Ndikimi i vitaminës D në shëndet

Përveç te kockat, vitamina D është e rëndësishme edhe për funksionimin e muskujve dhe për shumë organe tjera në organizëm.

Vitamina D u përshkrua fillimisht si shkaktare e rakitit apo eshtrave të butë, që vinte si pasojë e mungesës së rrezeve së diellit apo mungesës së kësaj vitamine në ushqim.

Hapi i parë në organizëm drejt vitaminës D është sintetizimi i saj në lëkurë me ndihmën e rrezeve të diellit. Ky produkt pastaj duhet të kalojë edhe dy procese të zbërthimit të mëtejmë në mëlçi dhe veshkë, për të arritur formën aktive. Forma aktive e vitaminës D është ajo që edhe përdoret nga qelizat e ndryshme.

Nëse niveli i vitaminës D në gjak është nën 20 ng/ml (50 nmol/L), rreziku për sëmundje kancerogjene, sëmundje autoimmune, sëmundje të zemrës dhe të enëve të gjakut, është më i lartë. Mirëpo, rreziku nga këto sëmundje nuk zvogëlohet, kur një individ që ka vlera normale të vitaminës D në gjak, konsumon preparate me vitaminë D. Pra, nuk ka efekt pozitiv shtesë.

Nuk ka rekomandime që e përcaktojnë vlerën optimale të vitaminës D, në mënyrë që të parandalohet apo zvogëlohet rreziku për kancer, sëmundje autoimune apo sëmundje kardiovaskulare.

Për këtë arsye, vlera optimale e vitaminës D në gjak preferohet të jetë ajo që është përcaktuar për parandalimin e sëmundjeve të eshtrave si pasojë e mungesës së vitaminës D.

Vitamina D te COVID-19

Te pacientët me COVID-19, vitamina D duhet të jepet në rast se pacientët kanë mungesë të saj. Doza është 600-1000 IU njësi internacionale në ditë.

Mirëpo, vitamina D te COVID-19 nuk duhet të jepet nëse vlera e saj në gjak është normale.

Ende nuk ka evidencë të qartë, nëse marrja e vitaminës D zvogëlon rrezikun për gjendje të rëndë me COVID-19 .

Një studim në Britani me 348.598 individë, nga ata 499 me COVID-19, nuk ka gjetur asociacion në mes të sasisë së vitaminës D dhe mortalitetit nga COVID-19.

Një tjetër studim me 489 individë ka vlerësuar se rreziku për test pozitiv COVID-19 ishte më i lartë te ata që fillimisht kishin sasinë e vitaminës D nën 20 ng/ml.

Në Brazil janë bërë krahasime në mes të pacientëve që kanë marrë vitaminë D dhe atyre me pacebo. Nuk është vërejtur efekt pozitiv në kuptim të zvogëlimit të kohëzgjatjes së qëndrimit në spital, për ata të cilët kanë marrë vitaminë D.

Në ndërkohë janë duke u bërë edhe shumë testime dhe studime tjera (vitaminë D-placebo) për të përcaktuar efektin e vitaminës D te COVID-19.

Deri në rezultatet përfundimtare duhet përmbajtur rekomandimeve aktuale: vitamina D te COVID-19 vetëm për pacientët me mungesë të saj në gjak.

Matja e vitaminës D në laborator

Në laborator ekzistojnë dy analiza për matjen e vitaminës D. Analiza më e preferuar është vitamina D 25(OH). Analiza tjetër D 1.25(OH) bëhet vetëm te indikacionet e caktuara, si p.sh., te sëmundjet e veshkave.

Vlerat e vitaminës D mund të ndryshojnë varësisht nga metoda e përdorur në laborator dhe vlerat e saj shkruhen në disa njësi të ndryshme. Në bazë të shumicës së rekomandimeve, niveli nën 20 ng/ml (njëjtë me 20 mcg/L apo edhe 50 nmol/L) vlerësohet si mungesë apo insuficiencë e vitaminës D.

Nga përvoja ime në laborator, përafërsisht 60-80% e pacientëve kanë nivel të ulët të vitaminës D në gjak.

Këto fakte duhet pasur parasysh para se të fillohet marrja e preparateve me vitaminë D

▪ Ekzistojnë preparate me vitaminë D3 (kolekalciferol) dhe D2 (ergokalciferol). Preferohet më shpesh marrja e vitaminës D3 (kolekalciferol), sepse me këtë preparat rritet më shpejt niveli i vitaminës D në gjak.

▪ Vetëm personat mbi 65 vjeç mund të marrin vitaminë D, pa e matur fillimisht nivelin e saj në gjak.

▪ Të tjerët, preferohet të marrin vitaminë D vetëm atëherë kur në laborator vërtetohet mungesa e saj, respektivisht, kur niveli i saj është i ulët. Kjo vlen edhe për pacientët me COVID-19.

▪ Konsumimi i vazhdueshëm i preparateve me vitaminë D nga individët që kanë sasi normale të saj në gjak, nuk ka efekt të shtuar pozitiv në shëndetin e tyre.

Përkundrazi, vlerat shumë të larta apo toksike të vitaminës D, kanë efekt negativ në shëndet.

Nga Dr. med. Fatime Imeri

MSc in Life Sciences UZH

EMBA UZH

Specialiste për mikrobiologji, kimi klinike, hematologji, imunologji, diagnostikë molekulare

Burimi//diasporashqiptare.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button