fbpx
Retro

Nobelisti i parë rus – shkrimtari i dashurisë!

Si trashëgimtar i traditës letrare të Tolstoit e Dostojevskit, Bunin krijoi stilin e vet unik, duke e kredhur lexuesin drejt thellësish të reja emocionesh dhe karakterizimesh. Tregimet e tij të dashurisë, janë nga më të mirat në letërsinë ruse./Konica.al

Përfundoi vetëm disa klasë të shkollës së mesme
Në atdhe, Bunini konsiderohet shkrimtar me stil të lartë dhe intelekt. Megjithatë, ai nuk u arsimua plotësisht. Shkrimtari i së ardhmes lindi në 1870 në provincën Voronezh, 400 km në jug të Moskës dhe i ati e dërgoi në një gjimnazin e djemve në qytetin e Yelets. Pesë vjet më vonë, Bunini u kthye në pronën e familjes për pushimet e Krishtlindjeve – dhe nuk u kthye më në shkollë. Sidoqoftë, do të ishte e padrejtë që Bunini të përshkruhet si i paarsimuar. Që i vogël, ai u rrit në një familje që citonte Pushkinin. Si fëmijë familjeje fisnike, iu caktua një tutor, i cili bëri një punë të shkëlqyer, jo vetëm duke ushqyer tek djali dëshirën për të lexuar, por duke i mësuar edhe disa gjuhë, përfshirë latinishten.

The Russian writer Ivan Bunin gets the nobel prize for literature by the Swedish king. Photograph. 1933. (Photo by Imagno/Getty Images) Dem russische Schriftsteller Ivan Bunin wird der Nobelpreis für Literatur vom schwedischen König überreicht. Photographie. 1933. *** Local Caption ***

Famën e fitoi kryesisht si poet
Për fëmijët e fisnikërisë, krijimi i poezisë ishte gjë e zakonshme – aftësia për të krijuar çifte rimash në bisedë ishte pjesë e mirësjelljes. Bunini filloi të shkruante poezi mjaft herët, kurse poezia e parë iu botua në moshën 15-vjeçare, në një revistë letrare. Punoi njëfarë kohe si redaktor, por s’vonoi shumë dhe kjo gjë filloi ta nervozojë – etja për jetën dhe aventurën e çoi nga një qytet në tjetrin. Së fundmi, në kërkim të famës letrare dhe një page të qëndrueshme, ai u nis të zaptonte Shën Petërburgun dhe Moskën. Në Moskë, Bunini u bë anëtar i rrethit letrar “Sreda”, së bashku me shkrimtarë të njohur të asaj epoke si Maksim Gorki dhe Leonid Andrejev. Megjithatë, shkëlqimi letrar e mbajti larg. Disa kritikë i konsideruan poezitë e tij monotone, të ngjashme me poezinë e shekullit të 19-të dhe pa dell talenti. Sidoqoftë, recensuesi i çmimit “Pushkin” njohu në poezitë e Buninit “një gjuhë figurative të hirshme të pahuazuar nga tjetërkush”, dhe e vlerësoi me çmimin./Konica.al

Jetoi në varfëri dhe u martua tri herë
Bunin vinte nga një familje fisnike e rrënuar. Për më tepër, si më i vogli, nuk trashëgoi asnjë pasuri apo pronë. Si rrjedhojë, që herët iu desh të fitonte bukën e gojës, gjë që nuk funksiononte gjithmonë. Ai jetoi në varfëri, i ndihmuar nga vëllai i madh dhe, në përgjithësi, ndihej shumë i turpëruar nga ky pozicion. Sidoqoftë, pasioni që kishte për udhëtimet ishte kaq i madh, sa do e linte përgjithmonë punën ose shërbimin për të marrë rrugën, pasi futej edhe më shumë në borxhe – kjo vazhdoi për mjaft kohë. Gjatë turit, ai shkroi historitë e famshme: “Zotëria nga San Francisko”, “Goditje dielli” dhe shumë të tjera, të cilat morën vlerësime nga kritika dhe u mirëpritën nga lexuesit.

U bë shkrimtar i famshëm në mërgim
Revolucionet e vitit 1917 e zunë Buninin në Moskë. Kishte ngecur mes trazirave dhe të shtënave të armëve, ndaj filloi të mbante ditar të detajuar, të cilin e botoi me titullin: “Ditë të nemuna”. Shumë nga kolegët shkrimtarë e përshëndetën revolucionin me entuziazëm, por jo ai. Kur bolshevikët morën pushtetin në tetor, Bunini dhe Vera u larguan nga Moska me një makinë-ambulancë së bashku me refugjatë të tjerë, duke gjarpëruar drejt Odesës. Megjithëse 33-vitet e mbetura të jetës i jetoi në Francë, ai nuk mësoi kurrë frëngjisht – komuniteti i emigrantëve rusë ishte kaq i gjerë, sa nuk kishte nevojë. Në vitet 1920, shkrimtarët mërgimtarë rusë në Paris filluan të paraqisnin kandidatë për çmimin “Nobel” në letërsi – midis tyre ishin Ivan Bunin, Ivan Shmelev, Dmitry Merezhkovsky dhe Konstantin Balmont. Pra, ndodhi që në vitin 1933, Bunini i nominuar u bë shkrimtari i parë rus që mori çmimin, me motivacionin: “për mjeshtërinë rigoroze, me të cilën shtjellon traditat e prozës klasike ruse”.

Autor i veprave më të mira në letërsinë ruse rreth dashurisë
Nëse ju pëlqen letërsia ruse mbi dashurinë, mos kërkoni më shumë se Buninin. Historitë e tij lirike dhe elegante janë të mbushura me simbolikë. Femrat në veprat e tij janë qenie enigmatike kalimtare, me kokën dhe supet mbështetur te burrat. Këto nuk janë më vajzat e përkora të letërsisë së shekullit të 19-të, por krijesa dinamike të lindura për një pasion të shpejtë, të stuhishëm. Veprat kryesore janë romani “Jeta e Arsenievit”, novela “Dashuria e Mitias”, tregimet “Mollët Antonovka” dhe “Frymëmarrje e lehtë”, si dhe koleksioni i tregimeve “Rrugët e errëta”, mbase kulmi i krijimtarisë së tij. Thuajse në të gjitha, Bunini vepron si një novator, duke e stërpikur prozën me poezi lirike, duke pikturuar ndjenjat dhe trazirat e brendshme të personazheve me ngjyrimet më të thella./Konica.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button