fbpx
Shqiperia

“Ka vetëm një Shqipëri, Shqipëria siç është në histori”

Shkrimi i botuar në gazetën “Zëri i Kosovës”, flet për mënyrën sesi duhet të organizohen shqiptarët në Maqedoni. Këndvështrimi origjinal i shkrimtarit dhe intelektualit Dritëro Agolli mbetet edhe sot, pas më shumë se 20 vjetësh, një udhërrëfyes për të kuptuar sesi duhet të veprojnë shqiptarët, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë, Mal të Zi e gjetkë.

Shkrimi i plotë:

– Flamuri shqiptar u ndalua dhe u përgjak këto ditë në Gostivar, në Tetovë dhe në qytete të tjera të mbetura nën Maqedoni. Demonstruesit shqiptarë, paqësorë në protestën e vet, duke mbrojtur të drejtën e flamurit të tyre kombëtar, morën si shpërblim kërbaçin dhe plumbin e policisë maqedone. Brutaliteti i autoriteteve të Shkupit, sipas disa analistëve, duket se merr zemër edhe nga gjendja jo fort e mirë në Shqipëri.

– Ngjarjet e fundit në Maqedoni, të cilat i kanë acaruar në kulm marrëdhëniet politikë ndëretnike, sidomos ato me shqiptarët, kanë të bëjnë me ringritjen e një vale të re të egërsisë antishqiptare. Kjo egërsi ishte edhe më parë, por mori pamje të shfaqur sidomos pas protestës së ligjshme shqiptarë kundër moslejimit të flamurit kombëtar. Shqiptarët që u ngritën për ta mbrojtur atë, u vranë, u burgosën, u sulmuan me tanke e autoblinda. Kjo i ka tronditur të gjithë bashkatdhetarët tanë nga janë e nga s’janë.

Mbajtja e flamurit kombëtar është një e drejtë legjitime e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Rrethanat historike i kanë lenë ata në kufijtë e këtij shteti, që nuk ka as katër vjet jetë ndërkombëtare, por fati historik i tyre është i lidhur prej mijëra vjetësh me kombin shqiptar dhe me simbolet e tij. Shqiptarët në Maqedoni nuk janë pakicë kombëtare, por janë popullsi kombëtare. Së paku një në tre banorë të Maqedonisë është shqiptar. Një e treta e popullsisë se një vendi nuk mund të quhet pakicë. Këto janë shifrat zyrtare, shqiptarët në Maqedoni mund të jenë gati aq sa janë maqedonët. Ne bëjmë gabim të rëndë kur flasim për “pozitën e pakicës shqiptarë në Maqedoni”. Po të përdorim këtë gjuhë vetë ne e nënçmojmë peshën dhe rolin e shqiptarëve në funksionin e këtij shteti. Unë nuk njoh ndonjë vend në Europë, që ka pakica, pa bërë fjalë për popullsi, madje, nuk njoh ndonjë vend në botë, që t’u ndalojë pakicave apo popullsive përdorimin e flamurit të tyre kombëtar. Fjala vjen, në një rajon në viset veriore të Gjermanisë që është në kufi me Danimarkën, ka rreth 6, 7 apo 8 mijë daneze: Ata kanë të drejtë të përdorin flamurin e Danimarkës krahas me flamurin gjerman. Ata jetojnë të qetë në shtetin gjerman, që është shteti i tyre, por asnjeri nuk i pengon që të ndihen danezë në vetëdijen e tyre kombëtare, askush nuk u thotë të heqin flamurin, aq më pak t’i kërcënojë me pushkë. Kurrë s’ndodh kjo!

Reagimi i shqiptarëve në Maqedoni është i ligjshëm dhe përputhet me një traditë historike. Edhe më herët shqiptari “vritet e pritet për flamur”. Për flamur vriten ata që kanë një ideal të lartë dhe një qëllim të lartë. Flamuri është ai që i bashkon njerëzit në një bashkësi kombëtare. Flamuri nuk vret as pret kënd, nuk i bën keq kujt, nuk ka zara. Maqedonët, megjithatë, i përgjaken shqiptarët me një zell primitiv, me një egërsi anakronike. Kjo është një sjellje e vrazhde e autoriteteve maqedonase, por ajo është edhe një sjellje mosmirënjohëse ndaj shqiptarëve. Qeveritaret e Shkupit treguan se i tremben faktorit shqiptar, kanë xhelozi ndaj ndërgjegjes kombëtare, nuk duan që shqiptarët të afirmohen si bashkësi, si kombëtare, nuk duan që ata të kenë vetëdije bashkimi. Në Maqedoni po lind paniku ndaj simboleve që i ngrenë mbi ndarjet partiake dhe fetare, mbi çdo ndarje tjetër. Kjo është një politikë që e pret dështimi.

– Mirëpo, ndërkaq, policia maqedone vetëm po e shtrin represionin dhe dhunën mbi shqiptarët. Ndërsa komisioneri për të drejtat e njeriut Hans van der Shtoel shprehet se ndien keqardhje për ngjarjet e Gostivarit dhe se përkrah Shkupin që qeveria të paraqesë një raport në Parlament.

– Maqedonët duhet ta kuptojnë se nuk mund të bëjnë shtet e të ekzistojnë si shtet pa shqiptarët, sepse shqiptarët janë forca më prodhuese dhe më aktive e kësaj republike ish-jugosllave, janë force që e mban me të ardhura dhe me prodhim gjithë shtetin. Unë nuk druaj të them se shqiptarët atje janë një forcë më e zonja se ajo që përfaqësojnë maqedonasit.

Shqiptarët kanë histori dhe identitet të padyshimte. Ata kanë histori dhe krenari për të shkuarën. Ata janë të lidhur prej mijëra vjetësh me këto troje historike. Me ta është jo vetëm e drejta universale për vetafirmimin kombëtar, por edhe e drejta historike për të jetuar lirisht në trojet, ku kanë jetuar brez pas brezi. Në qoftë se, fjala vjen, ndodh një gjë e çuditshme, që në po e marrim me mend, si hipoteze: largohen shqiptarët dhe mbeten maqedonët pa shqiptarët, çfarë do të ndodhë me shtetin maqedon? Unë them se në këtë rast maqedonët do të përfundonin të jetojnë në çadra, në një nivel jetese shume me të ulet se sot, sepse nuk do të kenë prodhim, nuk do të kenë mirëqenie. Shqiptarët janë atje një faktor i fortë ekonomik dhe kulturor i pazëvendësueshëm. Maqedonët rrojnë në kurriz të shqiptarëve. Ky është haraçi që shqiptarët paguajnë për të jetuar në një shtet, që nuk është i tyre.

– A ka vend për vërejtje ndaj politikës se ndjekur nga shteti shqiptar pas ndarjes se Maqedonisë nga federata e vjetër? A i ka inkurajuar kjo politikë maqedonët në ushtrimin e politikës se dhunës ndaj shqiptarëve?

– Maqedonët, shteti i Maqedonisë (nuk mund të them gjithë maqedonët, nuk mund të akuzoj gjithë popullin këtu), pra, e kam fjalën për krerët e Maqedonisë, nuk janë mirënjohës ndaj shqiptarëve në përgjithësi, kudo ku janë, në tërësinë e tyre si komb. Sjellja e tyre është e padenjë jo vetëm ndaj shqiptarëve që jetojnë në një shtet me ta, por edhe ndaj Shqipërisë këndej, ndaj shtetit shqiptar, ndaj Shqipërisë zyrtare. Nuk janë mirënjohës, duke e ditur se ne e kemi njohur të parët pavarësinë e Maqedonisë, Republikën e saj. Unë personalisht kam qene kundër asaj njohjeje të nxituar dhe të pakushtëzuar që i ofroi Shkupit politika e Sali Berishës. Por fakt është se nga kjo politikë ata përfituan precedentin, njohjen e parë. Në vend që t’i bënte më të butë “bujaria” politikë e Berishës, ajo sikur i nxiti maqedonët të sillen si zotër të vetëm në Maqedoni dhe shqiptarët t’i shihnin si të tepërt, si barrë apo si qytetarë dytësorë.

Nuk është hera e parë që autoritetet maqedone zgjedhin dhunën kundër shqiptarëve. Ata kanë bërë edhe përgjakje të tjera. Kjo që ndodhi në fillim të korrikut nuk është e para dhe ndoshta nuk do të jetë as e fundit. Ala i kanë përgjakur shqiptarët në mes të Shkupit pa shkak fare. Ata i kanë dhunuar shqiptarët duke i ngarkuar me gjithfarë akuzash, deri për trafik armesh, që nuk u vërtetuan asnjëherë. Ata i kanë sulmuar shqiptarët pse kërkonin universitet. Por të ndalosh universitetin, të ndalosh kulturën, t’i kundërvësh kulturës bajonetën, kjo nuk është sjellje prej shteti normal. Është sjellje, si të thuash, e një shteti egërsirë. Prandaj, po e theksoj, ata nuk janë mirënjohës ndaj vetë shtetit tonë shqiptar. Jo pse unë kam bërë vërejtje me kohe, por pse kështu u vërtetua, duhet të pranohet se Shkupi nuk meritonte sjelljen politikë të Tiranes, miqësinë e ofruar prej qeveritarëve tanë. Në këtë kuptim duhet pranuar, se edhe në këtu, mendoj unë, kemi fajet tona. Kur them “ne”, kam parasysh ata që kanë pasur mundësi të marrin vendime, ata që kanë ushtruar politikën zyrtare. Ne duhej t’i vinim kushte Gligorovit para se ta bënim mik, para se të shijonim bukën e miqësisë në pikën e kalimit të kufirit, para se të hapnim korridorin Durrës-Shkup, para se ta prisnim në Tiranë si President pa e pranuar askush si President. Berisha duhej t’i thoshte Gligorovit: “Unë, si vend fqinj, po të bëj një favor, po të pres si mik, po e njoh Maqedoninë si republikë të ndarë nga ish-Jugosllavia, sepse dhe neve na intereson shpërbërja e Jugosllavisë, por më parë duhet të na jepen sigurime se shqiptarët do të trajtohen ndryshe nga koha që shkoi. Konkretisht, dua, njëherë, arsimin e njerëzve. Dua të kenë flamurin e tyre, të kenë flamurin kombëtar, të kenë të drejtën ta mbajnë në festa e gëzime, e të tjera e të tjera. Pastaj të të njoh”. Nuk duhej t’u afrohej maqedonëve një njohje përnjëherësh, siç u bë nga ana jonë: u bë deti kos dhe, o burra, të rrëmbejmë nga një lugë.

– Paralelisht me acarimin e situatës në Maqedoni, megjithëse bëhet sikur po bisedohet, po flitet për nevojën e bisedimeve, në këto momente edhe në Kosovë aktet antishqiptarë duket se janë bërë me ofensive. A e shihni të ndërvarur këtë rritje të antishqiptarizmit në gjithë hapësirën ish-jugosllave?

– Unë mendoj se kjo nuk është pa lidhje, sepse të gjithë derrat një turi kanë. Maqedonët, shpesh here, me gjithë marifetet që bëjnë, duke u përpjekur të hiqen pak më liberalë se serbët, kur vijnë disa momente kyçe, kur ballafaqohen me disa kërkesa kyçe, atëherë edhe këta tërbohen. Siç tërbohen serbët kur shqiptarët në Kosovë arrijnë të hedhin ndonjë hap të vockël afirmimi kombëtar, kur djemtë e Kosovës duan të tregojnë se nuk e pranojnë nënshtrimin paqësor, ashtu tërbohen maqedonët sapo që vene re se shqiptarët japin ndonjë shenjë të dëshirës për të bërë të ditur se janë shqiptarë, si shqiptarët e Tiranës, të Vlorës, të Shkodrës, të Korçës; se nuk janë sllavë. Revanshi kundër shqiptarëve, i nxitur edhe prej momentit të dobësisë politikë të Shqipërisë, është një sipërmarrje apo një ndërmarrje e përbashkët e kundërshtareve të shqiptarëve, në mos e thënça e armiqve shumëshekullore të shqiptarëve. Prandaj ata veprojnë në unison, si një kor. Vetë kërcënimet e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjyqet e tyre politikë, me dënime grupesh armiqësorë për “secessionismo”, u përshtaten maqedonëve. Maqedonët marrin kurajë dhe trimërohen kur shohin që edhe në Kosove ndodhin akte dhune politike ndaj shqiptarëve. Ne nuk duhet të harrojmë se përvoja qeverisëse e Maqedonisë dhe e Serbisë vjen nga politika e Beogradit. Shpesh në politikë përvoja i dikton veprimet dhe ciklet historike përsëriten.

– Në prag të shpërthimit të ngjarjeve kritike në Shqipëri pati një vërshim të gazetarëve të huaj, të cilët tërhoqën vëmendje në të gjitha mediumet evropiane, aq sa pati edhe ndonjë figurë të kulturës shqiptarë që u ankua se po bëhen teprime dhe spekulime. Ndërsa për ngjarjet në Maqedoni po sundon një hermetizëm i plote, asnjë pamje nuk shihet në ekranet televizive, asnjë protestë nga ana e institucioneve evropiane …

– Unë do të thosha që ndaj çështjes shqiptarë jo teprim nuk ka, por ka indiferencë. Kjo është indiferencë e shtypit dhe e politikës europiane. Çështja shqiptare ka mbetur e pazgjidhur jo se shqiptarët kanë dashur të jenë kështu siç janë, copa-copa, por sepse Europës nuk i ka leverdisur të gjeje zgjidhjen e duhur. Por, po nuk u zgjidh problemi i shqiptarëve, që nuk është zgjidhur akoma, domethënë, që ka tetëdhjetë e ca vjet e nuk po zgjidhet, madje po bëhet gati një shekull, pra, po nuk u zgjidh ky problem, që Shqipëria të jetë vërtet një shtet europian, modern, si gjithë shtetet e tjerë, kot mbahet shpresë se do të këtë qetësi rajonale dhe suksese diplomatike.

Shqipëria nuk do të jetë një shtet modern sa kohë që trojet e saj janë të ndara në copa-copa. Shqipëria do të jetë një shtet si një çiflig, si një gjë e vockël, me një hije të vockël, me një përfillje të vockël. Edhe mendimi politik e social i saj do të jetë i vockël. Nuk ka “plan Marshall” që ta nxjerre nga sikleti dhe vogëlsia. Sa të jetë Shqipëria kështu e ndarë, torba e vockël do të na mbetet në supe. Gjithmonë do të kërkojmë: “Amani, na jepni ndonjë gjë ta fusim në këtë torbë”. Një Shqipëri e ndarë do të thotë, se edhe demokracia do të jetë e çalë, nuk do të jetë një demokraci e plotë, normale. Shqipëria do të bëhet një shtet modern kur të jetë siç është në histori. Disa përdorin shprehjen “Shqipëri e madhe”, disa thonë “Shqipëri e vogël”, disa thonë “Shqipëri etnike”. Për mendimin tim, s’ka “Shqipëri të madhe” dhe as “Shqipëri të vogël”. Ka vetëm Shqipëri siç ka qenë dhe siç është në histori. Kjo Shqipëri, siç është në histori, duhet të jete edhe tani e tillë. Atëherë edhe demokracia do të bëhet e vërtetë, do të bëhet e plotë. Nuk do të jetë një demokraci grindavecësh, nuk do të jetë demokraci e një shteti që të tallen të tjerët me të, që i kërkojnë hesap pse e bën këtë veprim apo pse s’bën atë tjetrin. Një Shqipëri, siç është në histori, do të thotë një Shqipëri me tetë milionë dhe një shtet me tetë milionë banorë duhet të mendohesh mirë si ta drejtosh, si ta administrosh, si të jesh amvise e mirë e këtij shteti. Në këtë shtet, me tetë-nëntë milionë, ke mundësi të zgjedhësh drejtues të zotë sa të duash. Nuk ke këtu një personalitet të përshtatshëm për President? Ke nga ana tjetër, nga një hapësire që sot nuk gjendet në Shqipërinë shtetërore, dhe e merr këtë për ta bërë president! Ke një ministri që nuk ecën puna, sepse ka një ministër të papërshtatshëm. Atëherë e kërkon, e gjen dhe e merr nga pjesa tjetër e Shqipërisë, që nuk është brenda kufijve të sotëm. Nuk ke një figure të shquar për ta bërë kryetar akademie? E gjen në hapësirën tjetër. E kisha fjalën që në një Shqipëri siç ishte në histori mundësitë e zgjedhjeve politikë, shanset e drejtimit politik pozitiv, janë shumë më të mëdha. Atëherë shteti bëhet modern, bëhet europian. Kur një shtet është sovran në hapësira të mëdha, në gjithë hapësirën e tij historike, pra, po të kishim një Shqipëri siç është në kuptimin historik, edhe hallet tona të brendshme do të ishin më të lehta, do të zgjidheshin më shpejt, krizat do të ishin më të rralla. Europa po mban heshtje, por Europa me Shqipërinë gjithnjë do të ketë probleme, sepse është vetë faji i saj që nuk po e zgjidh dot problemin e shqiptarëve. Ç’do të bëjnë me ne? Gjithnjë do të rrime me forca multiacionale mbi krye? Kjo nuk është zgjidhje!

– Pa e nënçmuar rolin e fuqive politikë europiane, duke pasur parasysh mendimin politik shqiptar, a mund të flitet se ekziston një platformë e përbashkët për zgjidhjen e çështjes se përbashkët kombëtare, qoftë edhe në mënyrë të ngadaltë, të shkallëzuar, ama të sigurt?

– Unë mendoj se ende nuk ekziston një platformë e tillë. Ne na duhet një platforme shkencore, e vërtetë, një platforme e studiuar mirë jo nga një grup njerëzish, nga një shoqate, bie fjala, nga shoqata e intelektualeve apo ndonjë shoqate tjetër, që quhet kështu e ashtu. Edhe këto kanë vlerën e tyre. Por ato janë si shkëndija apo si ata fishekët që nuk vrasin, si fishekë teatrale, apo jo? Duhet të jetë një platforme e vërtetë, një platforme me disa sa objektiva të rëndësishëm, kryesorë, ku përcaktohet se ku jemi, ku do të arrijmë, si do të arrijmë, çfarë mjetesh do të përdorim, si do të vejë halli i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në këtë pjesë të Ballkanit, në pjesën perëndimore të gadishullit ballkanik siç jemi neve, se në jemi perëndimoret e Ballkanit.

– Po që të përpunohet kjo platforme çfarë pengesash ka?

– Po pengesat janë të shumta. Njëherë, mezi po rregullohet kjo pjesa këndej e Shqipërisë. Ne po zihemi me njëri-tjetrin pa pasur serbe dhe maqedone këtu brenda. Ana tjetër: ti mund të përpiqesh për një platforme kombëtare, por, po nuk pate vendosmëri dhe njëjtësi mendimi, nuk të lenë fqinjët, të cilët janë tepër të egër. Dhe ana e fundme: është mungesa e dëshirës së vetë shqiptarëve për të bërë një gjë të tillë. Që të hartosh një platforme kombëtare duhet një universitet popullor, duhet universiteti popullor i kalitjes së vetëdijes së nevojës për njëri-tjetrin. Duhet një universitet popullor, ku nevojitet pjesëmarrja e të gjithë shqiptarëve, e shqiptarëve të Shqipërisë së brendshme dhe atyre të Shqipërisë jashtë kufijve. Unë nuk kam dëshirë të dëgjoj kur thonë “Shqipëria dhe Kosova”. Kjo është njësoj si të thuash “Shqipëria dhe Korça”. Shqipëria e brendshme dhe Shqipëria tej kufijve duhet të mblidhen bashkërisht. Domethënë, të bëhet si në Rilindje. Si e bënë rilindësit? Ashtu të bëjmë, sepse programi i rilindësve akoma nuk është zbatuar. Në shumë gjëra është arritur, por në pikën që Shqipëria të bëhet shtet “siç ka qenë – do të jetë”, ai mbetet program i paarritur, i parealizuar. Duke marrë programin e rilindësve, duke e përtëritur me mendimin e ri politik shqiptar, duke e kaluar nëpër atë që unë e quajta “universitet popullor shqiptar”, mund të ngresh edhe dy kate apo tre kate të tjerë, por duke pasur si bazë, si themel programin e Abdyl Frashërit dhe të rilindësve të tjerë.

– Në kohën e sotme, krahas ideve të bashkimit shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve, në tregun e politikës kanë dalë e po dalin ide të tilla si ajo e federalizmit dhe e kantonizmit të Shqipërisë.

– Unë mendoj se kjo tezë, teza e federalizmit, është një teze reaksionare. Nuk duhet të këtë projekte të tilla nga vetë shqiptarët. Projektet e federalizmit, duke përfshirë edhe “Ballkanin” apo si ia kanë vënë emrin, janë që ta lënë Shqipërinë të copëtuar. Si do të bëhet Shqipëria Federatë? Kjo “Ballkania” do të thotë që një pjesë e trojeve shqiptarë ta këtë serbi, një pjesë tjetër greku, një pjesë maqedonasi, një pjesë tjetër në zemër, në mes të tyre, që do të jete si “bërthama e shtetit federativ shqiptar”. Kjo është një tezë e vjetër, është një tezë që unë e kam parë edhe në disa botime të huaja të kohëve të fundit, në libra të autorëve italianë apo gjermanë, të cilët hartojnë edhe harta, ku bëhet ndonjë ndarje e ngjashme edhe për territorin e Kosovës: një pjesë duhet ta mbajë serbi, një pjesë Shqipëria, një pjesë Maqedonia apo dikush tjetër. Domethënë, ajo Kosovë, që është sot ashtu si është, të ndahet në disa copa, për të krijuar një ekuilibër të ri ballkanik. Kjo tezë duhet ndaluar rreptësisht të ngrihet. Në asnjë mënyrë! Dhe mua me vjen keq që ka njerëz të mençëm, që janë edhe miq të mi, që jetojnë në Shqipërinë përtej kufijve dhe që e ngrënë këtë version. Problemi ynë është që të bëhemi një shtet modern, që të kemi unitet kombëtar, që të realizohet bashkimi i tërë shqiptarëve. Nuk del problemi i ndarjes se shqiptarëve në copa federatash apo në kantone, se mjaft janë ndarë, po del nevoja e bashkimit të tyre. Pse të hidhemi hu më hu kot së koti? Dhe po u hodhe hu më hu, njëri të hyn!..

– Shqiptarët, të ndarë në pesë shtete, në kushtet kur ndryshimi i kufijve politike është mjaft i kushtëzuar prej faktorëve ndërkombëtarë, “të politikës së madhe”, siç quhet, nëse kanë tjetër gjë në dorë, i kanë të gjitha mundësitë, pa pëlqimin e fuqive të mëdha, të punojnë që të mos kemi kufij shpirtërore.

– Në kushtet e sotme kufijtë shpirtërore pjesërisht janë hequr. Sistemi demokratik që u vendos në vend, sido që i parealizuar; largimi nga sistemi totalitar dhe politika e izolimit të Shqipërisë, kanë krijuar mundësi për t’i dhënë një hapësirë të madhe anës shpirtërore, të bashkimit shpirtëror të shqiptarëve. Bashkim shpirtëror unë quaj jo vetëm komunikimin me anë të librit, domethënë që shqiptarët të lexojnë librat që botohen andej e këndej kufirit, që të dëgjojnë radion, që të shohin televizionin. Në kushtet e një shoqërie të hapur ky komunikim shpirtëror është pak. Bashkim shpirtëror unë e quaj që të vete mysafir tek njeri në Prishtinë, të trokas në derë dhe t’i them: “Jam filani! Unë u mërzita këtu në Tiranë dhe u nisa të vij këtu, në Prishtinë dhe të rri tek ti, si mik që të kam, një javë apo dhjetë ditë”. T’i them mikut tim: “ç’bën, si je, si i ke fëmijët?” T’i them, madje, a ke ndonjë vajzë të mbarë, se unë kam një djalë të mirë e dua ta martoj. T’i them se një miku im më ka treguar se ka qejf që nusen e djalit ta marrë kosovare. Si i bëhet, po t’i pëlqejë djalit, a mund ta marrë që andej dhe të vijë këtu? Domethënë, të lidhen krushqi, të lidhen miqësi. Unë kam dëgjuar që në Fushën e Kosovës, apo në Gjakovë flasin me admirim për devollinjtë, thonë se i bëjnë të mira fasulet, por si i bëjnë nuk e dinë. Ata duan të vijnë të shohin si i bëjnë fasulet devollinjtë. Edhe kjo është lidhje shpirtërore. Nuk është lidhja shpirtërore vetëm me libra, se libri hyn edhe në mënyra të tjera. Edhe në kohën e Enver Hoxhës hynte libri. Unë flas për lidhje shpirtërore të tilla, për lidhje gjaku. Kur të krijohen këto lidhje, atëherë nuk ka top që të rrëzojë muret e shpirtit kombëtar shqiptar, muret e kalasë së shpirtit shqiptar, muret e mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, të bukurisë së këtij dinjiteti dhe të identitetit kombëtar. Hapat e parë të një Shqipërie të bashkuar janë: një akademi e përbashkët, një shtrirje e gjerë miqësie dhe martesash, një shkëmbim eksperience e tregtarëve bashkë me vajtjen dhe ardhjen ky është hapi i parë i një populli që kërkon të bashkohet. Këtë do ta quaja unë “universitet popullor kombëtar”. Atëherë kur t’i kesh të gjitha këto, nëse kërkon një bashkim politik, edhe Europën e vë në pozitë të vështirë, sepse Europa do të thotë: More, këta qenkan bashkuar para se të marr vendim unë që t’i bashkoj! Por, duke ndenjur në këtu pa lëvizur, pa bërë asgjë, edhe Europa do të thotë: Pse t’i bashkojmë këta, përderisa nuk kanë hedhur ndonjë hap për bashkim? Ne nuk po bëjmë ndonjë hap serioz për bashkim. Nuk mjafton televizioni. Mirë, kjo gjë e dobishme është, por në duhet të bëjmë që Europa ta ndjejë që ne e kemi hedhur hapin e bashkimit dhe të thotë vetë: këta, shqiptarët një gjë të vockël duan dhe bashkohen vetë pa pyetur njeri! Për bashkim është e pamjaftueshme vetëm lufta diplomatike, – takimet me qeveritarë dhe presidentë të Europës dhe Amerikës, ankimet për marrëzitë e serbëve dhe maqedonëve. Bashkimi i kërkon të gjitha luftërat: luftën morale, luftën familjare, luftën fisnore, luftën shkollore, luftën letrare, luftën kulturore, luftën e sofrës, luftën e krushqive, luftën e dasmave. të bashkohesh, do të thotë të këndosh bashkërisht në dasmë dhe të mbash zi bashkërisht në vdekje. Domethënë, të qeshësh, të qash, të këndosh dhe të ulërish bashkë… Unë shfrytëzoj këtë rast t’u dërgoj gjithë shqiptarëve jashtë atdheut, së pari bashkatdhetarëve në qytetet e përgjakura në Maqedoni, urimet e mia, të falat e mia. Thashë urimet, jo ngushëllimet, siç u konfirmoj përkrahjen time, për të mbrojtur atë flamur që ka jo pak, por pesëqind vjet, që nuk përkulet, dhe që maqedonët nuk do t’ia dalin dot ta përulin.

Botuar në “Zëri i Kosovës”, 24 Korrik 1997

Marrë nga “Koha Jonë”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button