KurioziteteLajme

‘Deputetët në kuvend grindavecë, në kafe mburravecë, në shtëpi përtacë’

‘Deputetët në kuvend grindavecë, në kafe mburravecë, në shtëpi përtacë’
Nuk ka një të dytë në Shqipëri që, mes shkrimtarit dhe politikanit, të ketë lënë pas kaq shumë vepra, libra, intervista e prononcime sa Dritëro Agolli.
Nga fjalimi në 10 qershorin e vitit 1991, gjatë Kongresit të fundit të PPSh-së, parti që u kthye në PS, te deklaratat e bujshme në Kuvend e në intervista, e deri tek aforizmat që i ngjiste me fjalë të mira në renditjen e tyre më të mirë. Dritëro Agolli ka lënë pas një thesar.
Më poshtë janë disa thënie që janë perla nga mendja dhe dora e tij:
1. Në periudhat më të shtypura, më të zeza, shkrimtarët tanë, dijetarët tanë, kanë qenë demokratë. Merrni, fjala vjen, De Radën, Naim Frashërin, Sami Frashërin, por edhe më parë, edhe Buzukun ta marrësh. Ai, me vetë faktin që Mesharin e bëri shqip, kishte një shpirt demokratik dhe popullor, sepse bëri që njerëzit të luteshin shqip. Me një fjalë, shkrimtarët tanë e kanë pasur si traditë shpirtin demokratik dhe shpeshherë artikujt, e veçanërisht në veprat e tyre, i përshkonte kjo frymë (intervistë, janar 1991).
2. Në fillim, siç ndodhi, veçanërisht, tek ne që 50 vjet, nuk ka pasur pluralizëm, njerëzit edhe u hutuan. Jo njerëzit e thjeshtë, por zyrtarët në përgjithësi. Megjithëse pluralizmi u lejua edhe me mendime dhe të gjitha gjërat, pati hezitime. Domethënë ndihej intolerancë. Këtë duhet ta themi, sepse është reale. Por, tashti, ne këtë periudhë që po kalojmë ne, kjo po thyhet dalëngadalë. Pra, po thyhet intoleranca dhe ne jemi në fillim të një tolerance. Pse është kështu? Sepse vetë këto, Partia demokratike, po e dëshmon se ka shumë përkrahës, se ngre turma të tëra njerëzish dhe ky është një fakt real, i cili nuk duhet të mohohet. Njerëzit janë tepër aktivë, këta që punojnë në PDSh-në janë të rinj, janë plot energji, kanë pasione. Nuk punojnë për hir të karrigeve, sepse nuk kanë. D.m.th., në këtë anë, do apo s’do të jesh tolerant të bën të jesh i tillë, dhe toleranca shihet. Ka edhe gjëra të papëlqyeshme, por, në përgjithësi, tolerancën e ka fituar vetë opozita e nuk i erdhi ajo si dhuratë nga dikush (intervistë, janar 1991).
3. Për Partinë Demokratike thoshin pse po e ngre problemin e bashkimit etj. Disa Shqipërinë e akuzojnë shumë, duke thënë se është vend i prapambetur, e godasin tepër në vend që të shohim se ç’bënë Evropa me Shqipërinë, si do ta përkrahë këtë proces, sepse gjatë historisë Evropa na ka ndihmuar fare pak. E kishim fjalën për Fishtën më lart dhe Fishta ka vjersha shumë të forta, të cilat bëjnë fjalë për Evropën. Ai e qorton atë pse nuk i ndihmon Shqipërisë dhe pse ajo, Evropa, kë s’e ndihmoi, por jo edhe Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilëve ua thotë vetëm të ligat. Shihet qartë, prandaj, se disa qarqe, disa gazetave e revistave te vendeve të ndryshme, iu mungon dashamirësia ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por, qarqet dhe gazetat e tilla janë të pakta kundra atyre që janë dashamirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Vlerësuar në përgjithësi, bota përparimtare dhe demokratike, proceset e reja në Shqipëri i shikon pozitivisht. Mendoj dhe unë, siç mendojnë edhe shumë të tjerë, prandaj edhe ata që i vlerësojnë pozitivisht proceset demokratike në vendin tonë, se Shqipëria do të rilindë. (intervistë, janar 1991).
4. “Letërsia e sotme i ngjan një letre që e kanë lidhur fëmijët në bishtin e maçokut: maçoku ynë shtetëror vrapon, kurse në bisht tundet letra. Kjo letër, në të cilën lavdërohen trimëritë dhe bëmat e maçokut, është gjithë e vërteta” – Mikhail Prishvin (shkrimtar rus, 1873-1954) (në shënimet e tij, 1989).
5. Asnjë diktaturë nuk gjen dot armë për të vrarë letërsinë e vërtetë.
6. Ajo fëmija e vogël në çerdhe apo në kopsht, që duartrokiste Parti-Enver, nuk e dinte se kurrë nuk do të bëhej poet, inxhinier, mësues, shkencëtar, pasi gjyshi i saj nuk kishte qëndrim të mirë moralo-politik. Lufta e klasave, në fakt, ishte luftë biologjike nga më të përbindshmet që ka njohur historia e popullit shqiptar (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).
7. Çdo popull ka nevojë t’i besojë një shenjti dhe kështu u krijua shenjti Enver Hoxha. Ai hyri në çdo shtëpi me fotografi, buste, kalendarë, që viheshin në vende të dukshme duke përzënë fotografitë e prindërve dhe fëmijëve. Bile, në çdo festë kombëtare a intime siç janë dasmat, shëndeti i parë ngrihej për partinë dhe Enver Hoxhën” (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).
8. Mua më vjen keq për gabimet e PPSh-së, sepse kam 40 vjet që aderoj në këtë parti ku kam lënë rininë time të pakthyer, kam lënë vitet me ëndrra dhe shpresa (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).
9. Si të gjithë poetët më të shquar shqiptarë, që nga Ismail Kadareja e me radhë, unë i kam kënduar idealeve dhe ëndrrave të kësaj partie, ideale dhe ëndrra që pak u bënë realitet. Por, ka kohë që e kam kuptuar gabimin tim në këtë besim dhe veçanërisht, sot, pohoj i zhgënjyer se duhet hequr dorë krejtësisht nga rruga e gabuar, rrugë që e shpuri shqiptarin në mjerim duke ia ulur dinjitetin dhe krenarinë kombëtare (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).
10. Politikanët duhet të sillen si kalorësit. Kur nis një bashkëbisedim apo bashkëpunim me palën tjetër, njerëzit e kanë në majë të gjuhës që të nisin dhe komentojnë se ai ra në prehrin e kundërshtarit, gjë që është e trishtuar ta thuash.
11. Ka një tendencë që të rinjtë blejnë në panairin e librit, kryesisht, libra politikë. Kjo tregon se rinia nuk është jashtë politikës dhe nuk është vetëm për libra zbavitës apo dhe për disko dhe pabe, por edhe e zonja të lexojë libra politikë. Mua më vjen shumë keq që disa zëra thonë se librat politikë na prishin punë. Ata duhet të gëzohen se kjo ka një arsye, se libri duhet të jetë real dhe të prekë problemet reale të shoqërisë tonë (“Panorama”, 21 nëntor 2011).

12. Tani që ndodhi bojkoti i socialistëve ndaj kuvendit, po më vijnë në mend edhe ato që kanë bërë ata të PD-së. Edhe ata nuk duhet të harrojnë se kanë bojkotuar (“Panorama”, 14 tetor 2010)

13. Nëse nuk ka protesta dhe nuk ngrihet një zë, atëherë nuk ka demokraci, por diktaturë (“Panorama”, 14 tetor 2010).
14.Është krijuar ideja sikur jemi dy shtete brenda një shteti. Në Shqipëri mendojnë njerëzit se do bëhen dy shtete. Me këtë pamje që i jepet politikës, duket sikur kemi një shtet të opozitës dhe një shtet të pozitës (“Panorama”, 14 tetor 2010)
15. Opozita duhet t’i japë dorën mazhorancës, por jo t’ia puthë asaj (“Panorama” 21 nëntor 2011).
16. Sido që të jem, unë jam socialist dhe nuk ka burrë që të ma kthejë mendjen të hidhem si karkaleci nga një parti në tjetrën (“Panorama”, 21 nëntor 2011).
17. Në Shqipëri ka pesë stinë: Pranvera, Vera, Vjeshta, Dimri dhe Politika. Ndërsa katër të parat qëndrojnë nga tre muaj secila, stina e Politikës nuk lëviz, për 12 muaj.
18. Deputetët janë njerëz të veçantë, që në Kuvend kuvendojnë me stilin e grindavecit, në kafe me stilin e mburravecit dhe në shtëpi me stilin e përtacit.
19. Shumë ujqër bëjnë një lukuni, shumë njerëz një turmë. Po shumë dhelpra? Nuk bëjnë as lukuni, as turmë, pasi nuk gjuajnë bashkërisht si ujqit dhe njerëzit.
20. Shkrimtarët duhet të flasin më me gjakftohtësi, më me argumente dhe pa u nxehur. Unë mendoj se shkrimtarët që i tremben kritikës, vënë në dyshim krijimtarinë e vet, nuk kanë besim tek krijimtaria e tyre. Kur shkrimtari boton një vepër, apo kur boton një diskutim, nuk është më pronë e tij, por është pronë e lexuesve. Dhe lexuesi, ka të drejtë të thotë çdo gjë për të. Nuk është pronë, që ta mbrojë medoemos ai. Fjala vjen, Naim Frashëri, Fishta, Mjeda, Migjeni, Esad Mekuli, et.j, nuk kanë tani shokë, kushërinj, apo dikë që mund t’i mbrojë. Ata i mbron vetë lexuesi. Kurse shkrimtarët e gjallë, kanë miq, shokë, kushërinj që i mbrojnë. Shkrimtari duhet ta mendojë veten edhe pas 50 vjetësh, kur të mos ketë shokë, kur të mos ketë simpatizantë të gazetave. Çka do të bëjë ai pastaj? Kush do ta mbrojë? Do ta mbrojë vetëm vepra e vet (“Radio Kosova”, 2006)
21. Mendoj se duhet të ndryshojë mënyra dhe stili i polemikave tona. Unë nuk e kam zakon të shprehem ashpër nëpër polemika. Por, sidoqoftë, Rexhep Qosja është një personalitet i madh i kulturës sonë. Një njeri që i ka dhënë shumë Shqipërisë, veçanërisht trevave të Kosovës, me veprën e tij të madhe. Jo vetëm veprën që analizon traditat tona, rilindësit etj., por edhe polemikat e tij të forta me serbët, me historianët e tyre, me shkrimtarët e huaj, jo vetëm të Ballkanit. Rexhep Qosja është njeri me përvojë të madhe dhe njeri me kulturë të gjerë. Është personalitet që çdo komb tjetër po ta kishte, do të krenohej me të. Sado të hidhet baltë mbi këto personalitete të larta të kulturës sonë, nuk kanë çka t’i bëjnë. Nuk mbulohet Mali i Sharrit, me një grusht dhé (“Radio Kosova”, 2006).
22. Unë, tani, shpejtoj t’i them të gjitha ato që nuk i kam thënë, pasi vitet vrapojnë dhe nuk dua t’i marr me vete në varr gjërat që mund t’ua lë të tjerëve, përpara se të mbyll sytë. Është koha e fjalës së lirë, sado me të meta. Në kohën e kësaj fjale të lirë, shkrimtari i vërtetë mund të bëjë çudira .Shkrimtarët mediokër, që sot mezi botojnë një broshurë, janë për kohën e totalitarizmit të shkuar, kur merrnin leje krijuese dhe botonin pa ndonjë vështirësi . Por sot ata nuk janë. Ata kot më shajnë dhe kot mburren se paska ardhur koha e tyre . Vërtet ka ardhur koha e tyre, por ka ardhur për britma dhe sharje, jo për letërsi . Për letërsi të vërtetë koha ka ardhur për mua. (“Aleanca” 19 tetor 1996).

23. Kalimi nga humori në sarkazëm, nuk është regres, përkundrazi është progres. Unë jam bërë t’i lexoj gazetat zyrtare me maskë antigaz, pasi kanë shumë helm ndaj meje. Mendimi im është i dytë, i një tjetri i parë, i një tjetri i tretë. Atje ku poshtërohet mendimi i dytë, sëmuret mendimi i parë. Këtë gjë të thjeshtë të pluralizmit, mjaft gazeta e gazetarë nuk e kuptojnë (“Aleanca”, 19 tetor 1996).
24. Po të lexosh gazetat vjen në këtë përfundim: Pluralizmi shqiptar është turmë bajraktarësh në grindje për marrjen e kalasë (“Aleanca”, 19 tetor 1996)

25. Shpesh, shtypi shpie ujë të ndotur në pemën e demokracisë. Atëherë demokracia është një lopë ku partitë grinden duke e mjelë. Kështu që nuk mund t’i shpëtosh sarkazmës . Madje, edhe sikur të mos jesh marrë kurrë me sarkazëm, ka momente në jetë që të shpien drejt saj në mënyrë të pavetëdijshme . Unë kam një mik që kurrë nuk ka bërë humor, dhe asnjëherë nuk ka përdorur sarkazmën. Papritur, një mbrëmje, duke parë televizorin, tha me vete me zë të lartë: “RTV-ja është pasqyrë ku bën tualet ai që ka fuqinë” Ç’t’i thuash këtij? (“Aleanca”, 19 tetor 1996). /RolandQafoku/ KultPlus.com

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button