fbpx
KurioziteteLajme

Këshilli i Ministrave miraton shtyrjen për regjistrimin e pronarëve përfitues, hyn menjëherë në fuqi

 

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit aktin normativ për shtyrjen e afatit të deklarimit të regjistrit të pronarëve përfitues. Afati i ri është 30 qershori, nga 31 marsi që parashikohej në variantin fillestar të ligjit.

Sipas Aktit: Në nenin 15, fjalët “… jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga krijimi i regjistrit, sipas përcaktimit të pikës 2, të këtij neni …” zëvendësohen me “… brenda datës 30.6.2021 …”

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”

Akti parashikon dhe ndryshime të tjera si zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve me origjinë të huaj deri në 90 ditë (nga 1 muaj që parashikon ligji aktual), pas ankesave të sipërmarrjeve të huaja se që një subjekt i huaj të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm në vendin e origjinës, ta apostilojë, përkthejë zyrtarisht në gjuhën shqipe dhe ta noterizojë në një afat kaq të shkurtër.

Kjo shtyrje vjen si rrjedhojë e ankesave të shumta të Shoqatave të biznesit që shprehën shqetësimin lidhur me problematikat që po hasnin në deklarimin e pronarëve përfitues, sidomos ata që ishin të huaj. 11 Dhoma Tregtie dhe Shoqata Biznesi, kryesisht të huaja, i dërguan në fillim të marsit një shkresë ministres së Financave, Anila Denaj, dy komisioneve parlamentare dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama, ku kërkonin shtyrjen e afatit për deklarimin e të dhënave të pronarëve përfitues. https://www.monitor.al/qeveria-pritet-te-miratoje-kete-jave-shtyrjen-e-afatit-per-regjistrin-e-pronareve-perfitues/

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën të ditur se në total janë rreth 55 000 subjekte (subjekte tregtare dhe OJF), të cilët kanë detyrimin e regjistrimit të pronarit përfitues. Gjoba e parashikuar në rast të mos aplikimit është 500 mijë lekë (rreth 4 mijë euro).

Detyrimin për të bërë këtë deklarim e kanë edhe gjithë subjektet apo organizatat jofitimprurëse, që janë në status pasiv dhe përjashtohen vetëm subjektet e çregjistruara.

Objekt i deklarimit nuk janë vetëm personat fizikë.

Ligji për “Regjistrimin e pronarëve përfitues”, i cili ishte një kërkesë e Mekanizmit Europian Moneyval me qëllim luftën kundër pastrimit të parave, është miratuar në gusht 2020, ndërsa udhëzimi që rregullon funksionimin e tij, në dhjetor 2020. Ligji, që synon të bëjë transparencë mbi aksionerët e subjekteve të ashtuquajtura offshore (me pronar të panjohur) parashikonte një muaj kohë për krijimin e Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP), deri më 31 janar, proces që u realizua nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Pas krijimit të regjistrit, subjektet raportuese kanë 60 ditë afat për të regjistruar pronarin/ët përfitues. Por, ky proces po has vështirësi të shumta, që nga funksionimi i platformës deri te paqartësitë teknike për pronarin përfitues të OJF-së, koha e nevojshme për sigurimin e dokumentacionit për investitorët e huaj, identifikimin e kompanive të huaja që janë listuar në bursa të ndryshme, por dhe kompani që pronari përfitues nuk është një person fizik, por një shtet i huaj. Si rrjedhojë, bizneset kanë kërkuar shtyrjen e tij, për më tepër që marsi përkon dhe me dorëzimin e pasqyrave financiare vjetore, duke shtuar ngarkesën për financierët.

Pronar përfitues, sipas ligjit, është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25% ose më tepër, të: aksioneve/kuotave; pjesëmarrjes në kapitalin e subjektit; të drejtave të votimit; ose përfiton nga transaksionet e kryera nga subjekti në emër të tij.

AKT NORMATIV

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.112/2020, “PËR REGJISTRIN E PRONARËVE PËRFITUES”

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në ligjin nr.112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

Neni 1

 

Në shkronjën “c”, të pikës 2, të nenit 2, fjalët “… komunitetet fetare …” zëvendësohen me fjalët “… bashkësitë fetare …”.

Neni 2

Në pikën 3.2.1, të nenit 4, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

Fjalët “… adresa e rezidencës së përhershme …” zëvendësohen me “… adresa e vendbanimit …”.

Në shkronjën “c”, pas paragrafit “data e lëshimit dhe data e skadimit e dokumentit të udhëtimit” shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

 

“- adresa e vendbanimit.”.

 

Neni 3

 

Në shkronjën “b”, të pikës 3, të nenit 5, fjalët “… brenda 30 ditëve …” zëvendësohen me “… brenda 90 ditëve …”.

 

Neni 4

Në pikën 1, të nenit 14, fjalët “… në pikën 5.1 …” zëvendësohen me “… në pikën 3.1…”.

 

 

 

Neni 5

 

 

 

Në nenin 15, fjalët “… jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga krijimi i regjistrit, sipas përcaktimit të pikës 2, të këtij neni …” zëvendësohen me “… brenda datës 30.6.2021 …”.

 

 

 

Neni 6

 

Hyrja në fuqi

 

 

 

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button