aktoretKurioziteteLajme

Festivali Mbarëkombëtar nderon kujtimin e Bujar Lakos

Festivali Mbarëkombëtar nderon kujtimin e Bujar Lakos

Drama “Kush e solli Doruntinën”, vepër e Kadaresë, me regji nga Laert Vasili, u shfaq në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”, si shfaqje përshëndetëse.

Më herët, në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar, shkruhej se ishte dhe një shfaqje-homazh, për nder të kujtimit të mjeshtrit: Bujar Lakos.

Karriera e aktorit me talentin dhe zërin e rrallë, nisi me të përfunduar studimet në vitin 1973, si pjesë e Teatrit Kombëtar. Shpejt, ai kaloi në kinematografi. Pas filmave “Përballimi” dhe “Në fillim të verës”, Bujar Lako do të shfaqej me rolin, mbase më të spikatur e për të cilin, ai do të kujtohet gjatë, Halit Beratin, në filmin “Gjeneral Gramafoni”. Por jo më pak, do të popullarizohej me rolin e Mujo Bermemes, komandatit shqiptar të bazës ushtarake të Pashalimanit, në filmin “Ballë për ballë”.

 

Filmat ku aktori spikati, janë të shumtë dhe interpretimi i tij, ishte sukses i padiskutueshëm për filmin. Jo vetëm para viteve 90-të; edhe më pas, aktori pati një jetë të ngjeshur artistike, me role të larmishme.

Në teatër, ka interpretuar gjithashtu një sërë rolesh, ndërsa është fitues i shumë çmimeve. I pari ishte në vitin 1979, ku ngriti kupën e aktorit më të mirë të Festivalit të Filmit, për rolin në “Gjeneral Gramafoni”, ndërsa në vitin 2005, do të fitonte titullin “Palma e artë”, me filmin “Magic Eye”.

Artisti është dekoruar me titullin “Urdhri Naim Frashëri”, klasi i parë në vitin 1982, “Artist i Merituar” në vitin 1985 dhe “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës, në vitin 2013.

 

Vepra e Kadaresë, është vënë në skenë me regji dhe dramatizim nga Laert Vasili; drejtor artistik, Bashkim Hoxha. Skenografia dhe kostumografia vijnë Stela Laknori, me muzikë nga Ambra Marjanaku.

“Kush e solli Doruntinën” u shfaq disa vite më parë, si premierë në skenë. Regjisori Vasili, që gjithashtu interpretoi rolin e kapitenit Stres, solli përpara publikut një version ndryshe të legjendës, të plotë dhe të pacensuruar.

Si regjisor, zgjodhi të trajtonte këtë legjendë, për vetë diskutimet që e shoqërojnë, pasi prej shekujsh ballkanasit kanë dashur të marrin të drejtat e saj.

Doruntina është e shqiptarëve, kjo pasi besa është një nga vlerat identifikuese të popullit tonë. E gjithë legjenda mbështetet mbi besën që Kostandini i ka dhënë motrës së tij. Kulla e Vranajve është mbyllur, pas humbjeve të bijve. Mes mjegullës, zisë dhe tymnajës së ëndrrave mesjetare, kapiteni Stres del në skenë me flokë të pluhurosura dhe rroba me baltë. Nën një varr të ri, gropos një rrobë.

Doruntina e kthyer pas tri vitesh nga Bohemia e largët, ka mësuar se vëllezërit janë shuar, ndërsa e ëma është tronditur nga pohimi i saj, se atë e solli Kostandini…

Kapiteni ka marrë urdhër të zbulojë “Kush e solli Doruntinën”, mbasi i ka pëshpëritur një varri të fshehtat e tij.

Këto janë ngjarjet në veprën e Kadaresë, që u përcoll të shtunën livestream në Facebook-un e Teatrit Kombëtar dhe atë të teatrove pjesëmarrëse në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”. Për regjinë dhe aktrimin, Laert Vasili ka marrë shumë vlerësime, si artisti i risisë në teatrin shqiptar, me lojën interpretative shumëdimensionale/ KultPlus.com

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button