fbpx
aktoretBotaKosovaKurioziteteLajme

Armian Hanelli, inxhinieri shqiptar që punon për NASA!

Nga Manjola Markola

Armian Hanelli, inxhinieri shqiptar që jeton prej vitesh në SHBA, ka rrëfyer për dritare.net, përvojën e tij si punonjës i NASA-s. Sipas tij, puna në Agjencinë e Hapësirës, është si të jesh në një ëndërr. Të punosh për NASA-n, për të është emocion, praktikë profesionale në të cilën ndjen se po bën diçka për njerëzimin. Hanelli nuk ka lënë pa përmendur roverin që pak javë në parë u ul në Mars, duke zbuluar se çdo pjesë elektronike e tij, ka kaluar në dorën e tij dhe të zyrës ku punon, për analizën e riskut.

-Ju punoni për NASA-n, si ka nisur rrugëtimi juaj për të mbërritur deri aty? Edukimi, përvojat?

-Unë kam ardhur në Shtetet e Bashkuara në moshën 16 vjeç, si pjesë e programit “Youth Exchange and Study (YES)”. Më pas, familja ime erdhi në Amerikë gjithashtu. Kam bërë 2 vitet e fundit të shkollës së mesme këtu. Pas shkollës së mesme, mora një “Associate’s Degree” në Inxhinieri Elektrike dhe më pas vazhdova të studioj në “Virginia Tech”, po për Inxhinieri Elektrike. Gjatë vitit të fundit të shkollës, unë bëra një “internship” tek “Intel Corporation” ku punova si “digital designer” për chipet elektronikë tek Intel. Gjatë këtij intenshipi 1-vjeçar, unë kuptova që kam shumë për të mësuar për fushën e jashtëzakonshme të Inxhinierisë Elektrike dhe vetëm një “Bachelor’s Degree” nuk do të mjaftonte. Më pas, u riktheva te “Virginia Tech” për semestrin e fundit dhe u dipmomova me Bachelor’s Degreen”, në Inxhinieri Elektrike. Një vit më vonë, vazhdova masterin te “California Institute of Technology (Caltech)” në Los Angeles, CA. Gjatë masterit, në verën e vitit 2018, aplikova për një internship me “Jet Propulsion Laboratory (JPL)” në Pasadena, CA. JPL menaxhohet nga Caltech për NASA, dhe janë qendra që fokusohet me eksplorimin robotik të universit (pra jo me misione me njerëz, vetëm robotikë). Gjatë këtij internship-i unë u mora me evaluimin e pjesëve elektronike në kushte kritike: temperatura të ulëta deri në minus 200 gradë Celsius. Këto kushte janë të vlefshmë për misione në hapësirë, ku mund të bëhet shumë ftohtë dhe harxhimi i energjisë për ngrohjen e pjesëve elektronike është shumë i shtrenjtë. Pas diplomimit nga Caltech, unë fillova punë “full-time” te JPL, si “digital parts reliability engineer” (shiko më poshtë për përshkrimin). Gjatë Bachelor’s dhe Master’s unë isha fitues i skolarshipit “Jack Kent Cooke Foundation Scholarship” i cili pagoi për të gjitha shpenzimet e mia gjatë karrierës shkollore. Tanimë, unë kam rreth 12 vjet në Shtetet e Bashkuara dhe jam mëse i përshtatur më jetën këtu. Duke qenë se erdha që në shkollën e mesme, tranzicioni në kolegj e më tej nuk ishte i vështirë. Ndryshimet e kulturës shqiptare dhe amerikane ishin pjesë e jetës sime të përditshme dhe nuk pata asnjë problem me përshtatjen.

Ju punoni për NASA-n dhe duket edhe si një ëndërr, duke qenë se lidhet me hapësirën dhe është një fushë që jo të gjithë e prekin dhe kuptojnë, në të vërtetë. Si është të punosh për NASA-n?

-Patjetër! Të punosh për NASA-n është një ëndërr e imja! Që i vogël, unë kam pasur kuriozitet të madh për hapësirën, planetet e tjera, dhe pyetjen kryesore: A jemi vetëm? A ka jetë përtej Tokës? Natyra njërëzore na bën të jemi kuriozë e të eksplorojmë. Çdo fëmijë është kurioz, dhe unë nuk isha ndryshe nga kjo. Unë pata fat që studiova në Caltech dhe e pashë nga afër punën që bëhet të JPL. Kjo më shtyu që të ndjek një karrierë ku mund të praktikoj aftësitë e mia profesionale dhe të bëj diçka të vlefshme për njerëzimin.

Ju jeni inxhinier, cili është konkretisht roli juaj në kompaninë ku po punoni aktualisht?

-Unë punoj si “digtal parts reliability engineer”. Jam inxhinier që siguron që pjesët elektronike që përdoren në çdo mision janë të besueshme dhe mund t’i rezistojnë çdo konditë gjatë misionit në hapësirë: temperaturat e ulëta dhe të larta, vakumin e hapësirës, radiacionin, etj. Për shembull, Marsi është ndryshe nga Jupiteri, dhe një mision për Marsin duhet modifikuar shumë për të përballuar konditat e Jupiterit (në Jupiter ka radiacion shumë të madh dhe pjesët elektronike mund të shkatërrohen). Në Tokë, ne nuk i kemi këto rrethana, sepse fusha magnetike dhe atmosfera e Tokës na mbron shumë. Po nëse kemi një mision në Venus, ku temperaturat janë rreth 465 gradë Celsius? Po një mision në hapësirën e thellë, si Voyager i cili u nis në 1977 dhe vazhdon të dërgojë informacion në Tokë edhe pse është rreth 22 bilionë kilometra larg? Puna ime ka të bëjë më analizën e riskut: a ka mundësi që diçka e keqe të ndodhë te pjesët elektronike të misionit, dhe nëse po, çfarë do të shkaktojë ajo gjë e keqe? Puna ime është t’i analizojë të gjitha këto kushte, dhe të minimizoj riskun e misionit. Specifikisht, pjesët elektronike digjitale me të cilat unë punoj janë microprocesorët, FPGA (Field Programmable Gate Array), chipet e memories, dhe të tjera.

 

Armian Hanelli, inxhinieri shqiptar që punon për NASA!

A e keni menduar ndonjëherë të lini punën aty dhe të krijoni kompaninë tuaj?

-JPL merret me eksplorimin robotik të hapësirës dhe universit. Kjo është një fushë tepër shtrenjtë dhe me risk tepër të lartë. Është fat për mua të jem pjesë e JPL. JPL dhe NASA punësojnë njerëz nga të gjitha fushat: inxhinierë elektrikë, kimikë, fizikantë, gjeologjistë, e njerëz që të merren me shpërndarjen e informacionit për publikun e median, artistë animatorë, etj. Çdo karrierrë që dikush dëshiron, ka një vend në NASA për të. Kjo është arsyeja që unë vendosa të punoj për JPL dhe jo të krijoj kompaninë time. Është mbresëlënëse të mendosh që disa metra larg zyrës time është dikush që është eksperti më i madh në botë në fushën e komunikimit dhe radarëve; një godinë më poshtë është personi që do programojë fluturimin e helikopterit “Ingenuity” në Mars pak javë më vonë; diku tjetër është grupi që është i pari që shikon fotot që vijnë nga Marsi, ose Saturni dhe i analizon ato! Është si të punosh në një ëndërr!

 

Në sa procese rekrutimi kalon një punonjës për t’u bërë pjesë e NASA-s?

-Patjetër, pak fat të ndihmon kudo në jetë! Por, puna e palodhur dhe këmbëngulja në qëllimet që dëshiron të arrish në jetë nuk të prishin punë aspak. Intervista ime për punë ishtë pikërisht internshipi 3-mujor. Ishte si të thuash një intervistë që zgjati 3 muaj, sepse grupi në JPL më vëzhgoi se si unë punoja dhe cilat ishin pikat e mia të forta dhe të dobëta. Kështu që, pas internshipit, nuk kaloi shumë kohë për JPL të më ofrontë mua një punë “full-time”. Do të rekomandoja këdo që të bëjë një internship te një vend që duan të punojnë, sepse aty mësojnë çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen, që është po aq e rëndësishme.

 

-Cila është detyra më e vështirë që keni patur që nga dita e parë në detyrën tuaj aty?

-Të gjitha detyrat që unë jam angazhuar nuk kanë qenë të lehta. Sepse një gabim i vogël në analizën e riskut, mund të shkaktojë humbjen e misionit. Megjithatë, ne jemi një grup me inxhinierë që merremi me këtë, dhe jemi të gatshëm të kontrollojmë punën e secilit që çdo gjë të funksionojë. Kjo bën që puna ime të mos jetë stresuese, por e këndshme! Është kënaqësi të mendosh që kjo pjesë digjitale që ti po punon do jetë një ditë në Mars ose rreth hënës së Jupiterit, Europa. Është emocion tepër rrënqethës.

 

Armian Hanelli, inxhinieri shqiptar që punon për NASA!

Çfarë aftësish duhet të kesh për të qenë punonjës i Agjencisë së Hapësirës?

-Që të punosh për NASA-s duhet të jesh gati të bësh diçka që njerëzimi nuk e ka bërë kurrë! Je në kulmin e njohurive dhe eksplorimit të universit! Duhet të jesh i gatshëm të pranosh sfida të jashtëzakonshme! Patjetër, aftësitë teknike janë tepër të rëndësishme, por ato sociale janë po ashtu. Komunikimi është çelësi. Duhët të jesh komunikues i mirë, në aftësitë e tua për shkrimin e një publikimi “research” apo një prezantimi, apo thjesht një e-mali që ju shkruan një shkenctari apo inxhinieri. Puna në grup është gjithashtu tepër e rëndësishme dhe vjen me praktikë.

 

Së fundmi, NASA ka zbarkuar në Mars roverin “Perseverance”, më i sofistikuari që Agjencia e Hapësirës ka dërguar deri tani në planetin e kuq. Çfarë mund të na zbuloni për këtë? Cili është kontributi juaj në ndërtimi e këtij roveri?

-Patjetër, faleminderit për këtë pyetje! Ishte një emocion i paparë teksa ndoqëm uljen e roverit “Perseverance” në Mars disa ditë më parë! Unë mendova se isha gati emocionalisht për ta parë atë arritje të jashtëzakonshme të njerëzimit, por ishte edhe më emocionuese seç e prisja! Çdo pjesë elektronike që është pjesë e misionit të Mars 2020 dhe Perseverance rover, ka kaluar te zyra jonë për analizën e riskut! Kur unë fillova punë full-time te JPL, në janar 2019, “Mars 2020” sapo po përfundonte rishikimin e pjesëve elektronike. Kështu që unë pata mundësinë dhe fatin të shqyrtoja disa elektronika që u bënë pjesë e roverit! Gjithashtu, pata mundësinë të përfshihesha në disa investigime të disa elektronikeve që kishin nevojë për më shumë testim dhe analizë. Pra, nësë është pjesë digjitale, grupi jonë e ka shqyrtuar!

 

-Sa i rëndësishëm është për NASA-n ky mision? Po për botën?

-Ky mision ka si qëllimin kryesor: Të kërkojë për shenja të jetës së lashtë në Marsdhe të mbledhë specieme nga dheu i Marsit për t’i kthyer në Tokë mundësisht në një mision në të ardhmen. Për më shumë informacion, shikoni këtu: https://mars.nasa.gov/mars2020/ . Shumë teknologji që krijohen për këto misione, gjejnë aplikime në jetën e përditshme. NASA punon shumë për misione që kanë të bëjnë me Tokën, të cilat janë të pazëvendësueshme! Një ditë, eksplorimi që ne po bëjmë sot në Mars do të na ndihmojë në të ardhmen e njerëzimit!

Armian Hanelli, inxhinieri shqiptar që punon për NASA!

-Si është mjedisi dhe kultura e punës në NASA?

-JPL-i është si një pjesë e institucioneve të research-it të përzier me eksperiencën e punës në industri. Pra, nuk është e shtyrë nga afatet dhe datat e produkteve ose shitjet (sepse në nuk prodhojmë produkte për shitje), por është shtyrë nga shkenca! Pra nëse shkencëtarët e JPL i propozojnë NASA-s një projekt për të ardhmen dhe NASA e aprovon, atëherë JPL punon për atë projekt me qëllimin e vetëm që ta realizojë me sukses! Kultura është e mrekullueshme! Çdo njeri është mëse i gatshëm të të ndihmojë nëse ke pyetje. Dhe më e mira është se ekspertët e çdo fushe janë gjithmonë pranë teje. Ka plot shkencëtarë dhe inxhinierë te JPL që kanë botuar libra dhe research pafund, dhe janë ekspertët më të mirë në atë fushë! Dhe me një email, ti mund t’ju kërkosh të shkoni për drekë bashkë dhe të bësh të gjitha pyetjet që ke dëshirë!

 

Është normale që çdo punë ka kërkesat e saj, ka edhe stres, situata të cilat mund edhe të mos na pëlqejnë. Si e përjetoni dhe përballoni ju këtë pjesë?

-Siç e përmenda më lart, puna ime specifike nuk është stresuese. Por patjetër, ka raste kur disa afate afrohen për mbarimin e një projekti të madh, dhe normale qe edhe pak stres ka. Por e rëndësishme është të kesh “big picture” parasysh: po punoj për një mision që duhet të jetë i suksesshëm që shkenca e njerëzimit të përparohet! Të paktën JPL nuk përfshihet në projekte me njerëz, vetëm eksplorim robotik. Pra në rastin më të keq, thjesht humb robotin, por jo jetën e njerëzve.

Dhe në fund, si e kaloni ju kohën e lirë? Cilat janë ato pasionet që keni jashtë mjedisit të punës?

-Unë bëj shumë fotografi! U interesova në artin e fotografisë rreth 5 vjet më parë. Më pëlqen si hobi sepse është relaksues dhe të shtyn të eksplorosh vende dhe pamje të reja (plazh, hiking, në qytetin e Los Angeles-it, fotografi e Rrugës së Qumështit nga shkretëtira afër Los Angeles-it në mes të natës, etj.). Gjithashtu, jam tepër i interesuar në investimin dhe anët financiare personale, për të arritur një pavarësi financiare në jëtë! Një klasë që bëra në Caltech gjatë masterit më ndryshoi komplet pikëpamjen se si fusha e investimeve dhe stock-u funksionon! Unë jam ndjekës i grupit që quhet “Bogleheads” të cilët ndjekin këshillat dhe mençurinë e të madhit John (Jack) C. Bogle, mentaliteti i të cilit është në besimin që Amerika do të vazhdojë të ecë përpara në të ardhmen dhe se është mirë të bëhesh pjesë e këtij suksesi duke investuar në ekonominë amerikane, duke blerë SP500 dhe duke e mbajtur atë gjithmonë! Shumë faleminderit për intervistën dhe faleminderit dritare.net për mundësinë!/dritare.net

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button