fbpx
aktoretAktualitetBotaDiasporaEkonomiKosovaLajmeMaqedoniaPolitikaShow-BizShqiperiaSportTeknologji

Timo Flloko: Si ma ndanë familjen pas prishjes me Jugosllavinë

Aktori shqiptar Timo Flloko është rrëfyer para publikut gjakovar si asnjëherë në Tiranë. I ndodhur atje si i ftuar i edicionit të parë të filmit me metrazh të shkurtër “Gjakova film festival”, aktori shqiptar ka përçuar emocione te publiku, në një bashkëbisedim që ka zgjatur më shumë se 2 orë, i zhvilluar në kuadër të edicionit të parë të këtij festivali.

Ai ka folur për përvojat e tij, familjen, teatrin dhe filmin shqiptar. “Mund të duket pakëz e ekzagjeruar, por gjatë rrugës për në Gjakovë, tërë kohën më është bërë mishi kokrra-kokrra, kur shihja sesa shumë jemi afruar me njëri-tjetrin”, ka thënë aktori, ndërsa për herë të parë ka treguar historinë e familjes së tij, e cila për disa vite kishte jetuar mes Kosovës dhe Shqipërisë së ndarë.

Ai ka rrëfyer se ka lindur dhe ka jetuar në Pejë deri në moshën 8-vjeçare, ndërsa në gjashtë prej këtyre vjetëve ka jetuar i ndarë nga babai dhe vëllai i tij. “Kur isha veçse 2-vjeç, Shqipëria ishte prishur me Jugosllavinë dhe babanë tim e detyruan të largohej nga Peja dhe të kthehej në Shqipëri. Kur shkuam në kufi, kufitarët i njoftuan babait se kanë urdhër që të lejojnë vetëm atë të kalojë, por jo familjen. Pas shumë lutjeve e përpjekjeve, i lejuan që me vete ta merrte vetëm vëllanë tim të madh Aleksandërin dhe kështu unë e nëna ime ishim të detyruar të ktheheshim e të jetonim në Pejë, deri në zhvillime të tjera politike, kur na u mundësua të ktheheshim në Shqipëri, konkretisht në qytetin e Vlorës.

Është hera e parë që bëj publike këtë histori timen”- ka thënë aktori Timo Flloko, duke përcjellë emocione të forta tek publiku. Megjithëse ai dhe familja e tij kanë vuajtur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, Flloko u tha kureshtarëve se në atë kohë arti në përgjithësi dhe kinematografia e teatri në veçanti kanë pasur një zhvillim të hovshëm, zhvillim me të cilin shqiptarët mund të mburren edhe sot e kësaj dite. “Sot shumë pak po investohet në teatër dhe në kinema, e kjo është diçka që po më vret shumë”- i është rikthyer ai bisedës për filmin, duke lënë të nënkuptohet se gjithçka kishte dashur të thoshte për familjen, e kishte rrëfyer. Por kureshtja e adhuruesve të tij ka qenë e madhe.

Ai është pyetur edhe për aktorët kosovarë, ku ka treguar se idhulli që e ka udhëhequr në karrierën e tij ka qenë aktori Bekim Fehmiu. Ai u shpreh i lumtur që ka pasur mundësinë ta takojë. “Pas John Belushit, i cili ndërroi konceptin e humorit amerikan, Bekim Fehmiu mbase është figura më unike e aktrimit të shqiptarit në famën e përbotshme”, ka thënë Flloko në një rrëfim ku ka zbuluar kontaktin e tij me aktorë shqiptarë, natën e vitit 1948, kur regjimi komunist ndau familjen e tij. “Bekim Fehmiu është një idhull. Aktori më i ndërkombëtarizuar. Kur luajti me ‘Odisenë’ ishte bërë një hit i përbotshëm.

Ka qenë frymëzues i madh.” Timo Flloko për herë të parë bëri publike edhe dëshirën e aktorit Bekim Fehmiu, një dëshirë që ai nuk arriti ta realizonte.  “Ajo që më vjen keq lidhur me Bekim Fehmiun, është fakti se ai asnjëherë nuk arriti ta realizojë ëndrrën e tij për ta luajtur rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ëndërr të cilën ma pati treguar shumë vjet më parë”- tha ai, ndërsa ka shprehur zhgënjimin e tij me faktin se aktorët e rinj nuk e njohin figurën e aktorit Bekim Fehmiu. Bashkë me Timo Fllokon në debat kanë marrë pjesë edhe aktorja Margarita Xhepa, aktori e regjisori shqiptar Mevlan Shanaj dhe regjisori kosovar Fadil Hysaj, të cilët gjithashtu kanë qenë pjesë e Festivalit të Filmit në Gjakovë.

Para se të fillonte bashkëbisedimi në ekranin e madh të teatrit “Paola’s Cino” u shfaqën disa fragmente nga filmat në të cilët ka luajtur aktori Timo Flloko. Të ftuarit nga Shqipëria dhe Kosova në këtë festival kanë shprehur keqardhje edhe për gjendjen në të cilën gjendet sot kinematografia shqiptare, duke bërë apel publikut që t’i kthehen ekranit të madh dhe sallave të teatrove shqiptare. Ndërsa njerëzve në institucionet përkatëse të subvencionojnë artin. “Gjakova Film Festival” u mbyll të dielën, kur juria shpalli dhe fituesit e 11 çmimeve, prej të cilëve i pari e kishte vlerën e 3000 eurove. Aktorja Arta Dobroshi fitoi 2 nga 11 çmime të ndara në festivalin e filmit me metrash të shkurtër.

Dobroshi fitoi çmimin special të Festivalit, me motivacionin për “kreacion kulminant” në filmin “Baby” të regjisorit Daniell Mulloi, dhe ka marrë trofeun si aktorja më e mirë për të njëjtin rol. Aktori më i mirë u shpall Bislim Muçaj, për rolin e tij në filmin “Dita e fundit e Loro Shestanit”. Juria e festivalit me kryetar regjisorin Mevlan Shanaj ka shpallur filmin “Bridge”, të regjisorit çek William Zabka, si filmi më i mirë i festivalit, ndërsa çmimi i publikut i është dhënë filmit “My tired Father”, i bullgares May Vitkova. Regjisori më i mirë është shpallur Sabir Kanaçi, për filmin “Matanë lumit”; dhe skenari më i mirë ai i Naser Shatrollit në filmin “Muri”.

Në “Gjakova film Festival” kanë konkurruar 80 filma të metrazhit të shkurtër. Kryetari i jurisë, Mevlan Shanaj, ka vlerësuar Festivalin e Parë të Filmit më metrazh të shkurtër në Gjakovë. “Si edicion i parë, mund të them se ka përfunduar me sukses. Tashmë organizatorëve u mbetet të punojnë gjatë tërë vitit që në edicionin e ardhshëm të ketë edhe më shumë sasi e cilësi të filmave. Gjithashtu, ajo që nevojitet në edicionet e ardhshme është edhe afrimi i shikuesve ose bindja e tyre që, të shohësh një film, është gjë më e mirë sesa të rrish në kafe e të flasësh për politikën”, tha Shanaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button